“Dranja madrigale “ e Martin Camajt është një nga prozat më moderne të letërsisë shqipe; një det kuptimesh e nënkuptimesh i pa eksploruar plotësisht.
Nga: Pirro Loli
Është vështirë të zhytesh thellësive. Pa pajisjet e duhura je i detyruar të qëndrosh në breg e prit kur ndonjë dallgë të të marrë në krah e të të tërheqë tutje , të të përplasi e të shohësh që deti bëhet det atje më tutje.
E brenda ka bukuri të frikshme.
Deti i simboleve
Breshkë me emrin “Dranja”, e lashtë qëkur ka lindur bota, gjallesë e vogël rritur e zvarritur shkurreve, drithërueshëm nëpër rrugëza të pjerrëta e shtigje pa cak. Në këtë pamje, kurrsesi nuk ta mbush syrin për të qenë komb, atdhe a popull. Por, poeti vepron me shenja. Simboli është më e dashura shenjë e Martinit. E me të shënon hapësira dhe kohë, njerëz e ngjarje, histori dhe ide e, të gjitha së bashku, zëra të pafund, që duan të dëgjohen, polifoni kambanash të frikshme e magjepsëse si Circet e Homerit. Pa dyshim simboli qendror që lidh të tëra pjesët është kocka, rrashti i saj. Kjo është mburoja mbrojtëse, gatuar me bronz e me gjak, që mbulon trupin nga të gjitha anët. Mishi i breshkës nuk duket. Vetëm një frëngji e vogël ku hyn e del vetëm koka, me dy sy të vegjël që vëzhgojnë rreziqet.
Gungë gjigante, bunker i blinduar në mish. Dhe, jo vetëm mburojë, por dhe moral. Dranja i di rregullat e etikës, përshtatjen, nuhatjen, atë që duhet të prekë e atë nga ku i vjen rreziku. Ky simbol bazal, njëkohësisht është dhe dallim ekzistencial nga qeniet e tjera jo vertebrore, nga ato pa kockë, pa shtyllë, pa qëndrim e pa besë. Shkallëzimi i simbolit të rrashtës arrin majat e qenies dhe lartësisë. Dranja u përket hapësirave kozmike për nga origjinaliteti e qëndresa. Rrashti i saj “i përngjet rruzullimit me njolla dhënash …” Syri i mikroskopit mbi këtë rrasht fokusohet nëpër oaze gjelbëroshe e në xham ngrihen objekte të çuditshme, hije metaforash e simbolesh e gjithnjë një dritë e përhershme hëne, relieve piktoreske, shira e akuj e njerëz të stepur nëpër shtigje bore … Mbi ashtin kockor, së jashtmi, një radar gjithëpërfshirës, që vëzhgon çdo gjë që ka të bëjë me Dranjën, ajrin, malin dhe detin, rrezikun e pabesitë. Rrashti i Dranjës simbolizon dhe kulturën, atë kulturë që ka dhënë e ka marrë me të gjithë të tjerët, por dhe krejtësisht origjinale, të vetmen “kështjellë” të papushtueshme mijëravjeçare, që nga mënyra e prodhimit deri te monumentet, këngët e vallet, eposin dhe mitet, krejt krijimtarinë popullore, gjuhën mbi të gjitha, elementin më të qenësishëm të ekzistencës së saj. E, pse jo, aktualisht, edhe tatëpjetën e kulturës.
Në deje ka muzikë, egërsi e herë-herë, gjallesa që ke përpara, bëhet me dhëmbë ujku. Shëmtim e bukuri, ku simbolet lëvizin, shtyhen e derdhen dallgë-dallgë. Ajo është simbol i bukurisë që në fillesa. (Kur shkon breshka në tempullin e Afërditës, tempullari gjeti dhe e krahasoi me një figurë të njëjtë dhe tha: ”Ajo nuk është erdhacake, por dhease”(autoktone – P. L). Por, Martin Camaj, në asnjë vend nuk mbahet nëpër majat e krenarisë, të heroizmit e të virtytit. Ajo më tej volli. S’mund të kërkonte bukurinë e Afërditës. “Dikujt bukuria e lypun tepër i del prej hundësh.” E gjithë historia e Dranjës është histori e rrokullimës. Ajo ka qenë dikur, dikur por …
Por, ky frymor vazhdon të jetë i papërsosur. E ndoshta pozat e këngëtarëve, që nga rapsodët e lashtë deri te poetët e sotshëm, zveniten si jo realiste, po ta shohësh në sy historinë. Dranja është gjallesë dhe figurë gjeometrike shumë planshe, kaleidoskop, simbol sferik, që përbrenda e ka historinë dhe dramën kate-kate. Këmba e poetit të vërtetë ngec në baltëra e shket në rrugë të pjerrëta. Atje ku ajo ka mundur të jetë, të ekzistojë, duke humbur shumë, shumë, ndoshta vertebra bazale të skeletit të saj. Dhe, megjithatë, ka gjithmonë një syth drite Dranja, që s’i vjen nga dielli, por i buron së brendshmi. Kjo është e mjaftueshme për t’u orientuar edhe atëherë kur është terr.
Shumëkuptueshmëria e simboleve në këto proza kaq konçize, duket si një hallakatje e përllogaritur në jerm. Saktësisht e pafundme si kuptimi i botës, si fati mijëvjeçar i fisit mbërthyer në makthe ekzistence. Njëkohësisht kryelartë, intuitiv e i dehur për aventura në kërkim të vetvetes. Dhe, vetëdije. Për Martinin, shkëputja fizike nga ajo “dhëmb si ndamja e mishit prej ashti” (f. 29). Kujtojmë se e gjithë jeta krijuese e poetit kaloi në Gjermani. Kjo ndarje e gjatë sa jeta e një njeriu, dhimbshëm del aty-këtu e lexuesi zhytet në një pyll metaforash … Janë të lodhur njerëzit e fisit dhe stoikë që refuzojnë të thyhen. Si pemët e larta, mbetur trungje që tashmë s’ka ç’u bën as furtuna që hedh gurë nga qielli … Me ta e për ta, poeti mbeti përherë poet i mallit dhe i ndarjes pa kthim. E bukura në proemat e tij është pas fjalës e pas vargut, në nëntekst, në imazh. Zëri i poetit s’ka klithma e deklarata. Ai, si Borgesi, e di natyrën e poetëve të këqij; rreptësisht kundër frymës luftarake, shkëlqimit të rremë e humorit bajat. Breshka e tij është një gjetje, një pikë ku vëzhgohen të gjitha hapësirat, është një Aleph borgesian … Ajo pikë është qafa e botës, gjetje simbolike që i ka dhënë dorë ta përsosë poemën. (Të gjitha pjesët bashkë kanë një shtyllë vertebrale e, bukur fort, mund ta quajmë poemë, poemë me 90 pjesë.
Dranja u botua më 1981 fillimisht në Romë e prozat e tij të kujtojnë poetët e mëdhenj të tipit të Rembosë; proza të shkurtra që, pavarësisht se jo në vargje të rregulla madrigale, në përmbajtje e mesazhe janë poezi liriko-meditative. Nëpër të gjitha pjesët ka nga një rrëfenjëz për bëmat e breshkës, kundërvënie ndaj trajtave tradicionale të letërsisë shqipe e kështu, pioniere nismëtare e letërsisë moderne.)
Është një poemë e një mendjeje fisnike, me të vërteta të dhimbshme. I ka të gjitha burimet e dritës dhe terrin e vjen e ngrihet figurë komplekse, mbushur dritëhije e që duhet ta zbërthesh si teoremë. Në të, ndoshta mu në zemër, thellësive të errëta të ADN-së së gjenit etnik, nuk mungon ajo rrezja e dritës e malli i pafund që projekton kohësh e, njëkohësisht, busull orientuese nëpër labirinte, hap pas hapi, ku Dranja bën jetën e saj krejtësisht si breshkë (simbolike). Ajo është dhe mbeturinë përbindëshi, midis sisorit dhe shpendit. ”Me shqisa të përgjysmuara midis të pamit dhe të ndjemit …(f. 37) lind pa dhëmbë, thotë autori – e deri në fund nuk do dhëmbë shtazori …, nga frika e rrufesë s’duron pranë asgjë prej hekuri … Ndaj mbetet e patjetërsueshme, ndaj ajo nuk futet në rrugë me shkëmb dhe gjithnjë e ruan një shteg për dalje. Pavarësisht se me gjak të ftohtë, ka një besim absolut në vetvete se kurrë nuk do humbasë raca e saj. Pikërisht ky besim kockor e ka bërë të përshtatshme e stoike.
Qenie e rrugëve të pjerrëta …
Rrezikuar të ecë në teh të thikës. Ajo, lëviz ditë e natë, jo vetëm në “dhenat e veta”. Ajo zbulon dhe popullata të tjera breshkash, të mëdha e të frikshme e “kthen kah kishte ardhë … te toka e saj, e thatë si buka” (f. 50) Është e pashpresë e udha e breshkës dihet e, më tej vetvetja, dheu i saj “atje ku dhe hëna është pjellore, atje ku dhe drita e yjeve mjafton të mihësh e të mbjellësh” (po aty).
Ajo (ai), është qerosi i Ballkanit, vëllai i vogël që paraqet vetëm të vërtetat për vete e për të tjerët, pa gënjeshtra e mburrje e prandaj, poshtëruar si qeros. Sepse i vogël. E të tjerët, sidomos fqinjët, u bëhet se në shpinë, në asht të saj shohin vraga dredhash si gjarpër. E dashakeqësve, të vërtetat nga goja e tij, u duken si helm hidhërimi në gjak. Të gjithë e poshtërojnë Qerosin, por të gjithë e kanë pasur e ia kanë nevojën. Ky qeros, i rrezikshëm e “i papërfillshëm”, i jep emrin kuptimplotë përrallës dhe historisë së këtij gadishulli, mbushur me intriga dhe pabesi ndaj vëllait të vogël. E ky gadishull, pa përralla e mite, pa poezi e drama, do të ishte i paqenë.
Samari i saj hyn e del si kodrinë nëpër mjegulla. Po ku të shkojë? Dimër në veri e mur në jug. Verdikti i historisë: “dështim me lanë kryet dikund, fitore me mbetë veç gjallë si frymorët e tjerë të përvujtun e zvarranikë” (f. 23) E kanë shkelur e shtyrë drejt humnerës “ndër eshtna armiqsh” … dhe “lypi fletë të njoma hithash”, zgjodhi hidhërimin si i ati e i gjyshi. Rrëpira ekzistenciale e ka mësuar se po ra këmbëpërpjetë ajo mbetet ashtu e gjallesat e vogla, morrat e kandrat e hanë. Në gollet e historisë ajo shumë herë është dukur e zhdukur por jo, ajo befas ngrihet prej dheut, e një qenie toke s’e shkel dot dimri. Heq e vuan, por e di fatin, kjo është jeta breshkanë … ngec shkretëtirës nëpër shkurre e pluhur, plagosur e djegur “sa me iu pas ngjitë rrashta në lëkurë” (f. 50). Qenia e saj rrokullimave, ka filluar me gjak e i është dashur dhe të murohet. “Që të qëndrojë shtëpia e Culit, vranë një breshkan” (f. 51). Dhe, të shfaqet Martini te ky breshkan fatkeq, ballëçarë e gjakosur, flijuar krejt rastësisht ose nga tradita e murimit. Dhe bëhet gjak themelesh në kulturën shqiptare, fitil kandili, me atë flakëzën e përjetshme që ushqehet që nga lashtësia “me voj ullini”, dëshmi kjo e poetëve të mëdhenj që e pranojnë flijimin.
Dikujt tjetër, poetëve epiko-folklorikë, nuk do t’u pëlqente kjo pamje. Por, thamë, Martini është larg pozave e deklaratave heroike, megjithëse edhe simboli e përmban superlativën, poeti nuk do të dalë as te pasojat katastrofike të qëndresës dhe luftërave shekullore. Nuk i pëlqen ndeshja me përbindësha e qytetërime, që në jetën e Dranjës kanë lënë gjurmë shkretëtire mbi dhe e nën dhe. Ama, kujton se më parë ka pasur më tepër zë. Zoti i lashtë kish ndrequr me rrashtin e breshkës (sonë) të parën vegël muzikore, të cilën ia fali Apolit e ky “me muzikën prej ashtit të saj i zbuti të tana shtazët e egra … e përmalli dhe breshkën …sa me nxjerrë një pikë loti, por kjo nuk u bë lotore dheu ”(f. 68). Ajo s’e mban mend mashkullin – thotë autori – por çon kryet e shikon diellin e në mend, mjegullueshëm, i shfaqen bij e bija. Vazhdimësia, përbën betejën përfundimtare të qenies.
Martini krijon një ekzistencë tjetër që ka të bëjë me lindjen, atë të artit. Ja kështu mungesa bëhet ndjeshmëri poetike, e ndërton pallatin me njëqind kate, poemën kuptimplotë, atdheun poetik, ose atdheun e munguar.
Dy enë komunikuese që nuk funksionojnë
Si diçka jashtë ligjeve të natyrës. Atdheu dhe ai. Dy të vetët që nuk duan të njihen. Në rastin e talenteve të mëdha dhe ekuacion me dy të panjohura. (Dhe një faj në mes. Jo moskuptim. Divorc ose më mirë braktisje.) Dy skaje që s’mund të ndriçohen pa njëri-tjetrin. Se dhe atdheu s’ka kuptim pa frymën e poetit, se dhe skaji tjetër do ishte frymor i pafrymë. Ka një marrëveshje tepër të veçantë midis Martin Camajt dhe atdheut. “Marrëveshja rrodhi sepse unë nuk ia preva kurrë rrugën Dranjës” (f. 75), ndërkohë as Dranja s’u mor me të. Ka një kthim shpine nga të dy dhe, do vinte një kohë, që do gjykoheshin distancat e braktisja do rëndonte si baltë e rëndë mbi atdheun. Por poeti e ka atë me vete si pikë diellore në sy. Në ashtin e mëmëdheut ai sheh si në pasqyrën e botës gra e vasha, nuse, malësorë, zogj e flutura. Të gjitha mbi Drin. Atje është qafa e botës, si çdo vendlindje për çdo poet. Dhe përmbi, një hënë ku mbillen të lashtat, malin dhe detin, dëborën dhe delet … dhe shira të kithtë … Pulsi i poetit rrjedh në damarët e saj, por vetëm në gjumë. Gjithçka nderim dhe vuajtje, por jo harresë. Gati-gati një zemër e përbashkët në dy trupa. Si dy enë komunikuese që çuditërisht, në këtë rast, nuk rrjedhin te njëra tjetra … Dhe kënga e humbjes, për më të dashurin që mungon … për Dranjën.
* * *
Është e patjetërsueshme Dranja për poetin. Ajo, e vo-gë-la, mbart mbi shpinë të gjitha vulat e kontinentit. S’ka rëndësi perimetri i pafund i sferës, por pika e qendrës, cilësia jo masa, zemra jo trupi. Për poetin që i ngre ultësirat në Himalajë, ajo është dhe histori dhe dhimbje, por sidomos frymë, frymë e ngujueme në asht, e sidomos dëshpërim e mall poetik … Portrete me pamje të zbehta në pasqyra të gërricura. Pasqyrë e njëri-tjetrit larguar. Si të gjitha mendjet e ndritura të Rilindjes, gjak i shprishur shpërndarë gjithandej, por nga i njëjti burim zemre. Për Martinin vetëm në ide, jo në ndjesi, imazh, jo prekje. Andej prej së largu në një shtëpi të vetmuar, ai ka një turbullim të tmerrshëm poetik tek shikon nga dritarja zogjtë që fluturojnë, “zogj sa të zit e thoit”, (f. 76) atij dhe breshkat e tjera (shtetet a fiset) i duken pa asht e pëlcet përbrenda kur mendon vragat e ashtës së tij e zërin e idhët, klithmën e “zojës së vjetër tue rrah shkurret me njanën furkë”. Dhe shtanget dhe pikëllohet “qysh se e humba sysh …” e shpreson se do ta shohë njëherë … Iku djalosh Martini dhe u thinj në pritje. Por, oh! Koha e pritjes, e shpresës dhe e mallëngjimeve, sosi … Atdheu kurrë nuk “shkoi”tek ai. Rrugët qenë thyer. Kish të bënte me një atdhe që s’kish nevojë për frymën e bijve të vet. Kjo është më tepër drama e atij që mohon më të mirën e vetvetes …
* * *
Shpesh ashti i Dranjës barazohet me ashtin e njeriut “pa kapuç shqiptari”, pa trajta malësorësh ngelur nëpër shtigje bore. Ia ka ënda ta paraqesë shqiptarin, jo vetëm shqiptar, por njeri, njeri universal. E këtë e realizon vetëm arti i madh, arti, që pavarësisht ku lind, e kapërcen burimin e shkon në detin e të gjithëve.
Të shqetëson qëndrimi i poetit ndaj atdheut, që kaq shumë heshti për më ballëndriturin bir të tij. Ai që jetoi në mes të Gjermanisë moderne me të gjitha të mirat për rreth, ai profesori i universitetit ku ligjëronte shqip, ai me aq shumë miq, studentë, poetë, akademikë, edhe mund të heshtte, edhe mund të urrente, por jo, thotë e gjithë vepra e tij. Ai e dinte se poeti pa atdhe është i parrënjë, i palumtur. (Mbi kulmin e shtëpisë së tij një krah shpendi i zi si nata. Ky krah e ndoqi kudo që shkeli nëpër Evropë. Fatalisht i zi.) Këtu qëndron humnera shpirtërore e krijuesit, sepse vetëm atdheu të jep emër. Le të jesh i njohur në kontinent, le të barazohesh me poezinë më të mirë të kohës, vulat e vlerave t’i jep vetëm atdheu. Dhe Martini kish aq shumë nevojë të verifikohej, aq shumë nevojë për dorën e nënës që e kish braktisur pa të drejtë. Dhe një zë intelekti nga të vetët, kurrë nuk e ndjeu në vesh. Dhe vdiq pa e marrë vulën. Dhe kur i bëhej se dëgjonte një jehonë zëri nga ashta, asgjë e re, nga atdheu “mbi Drin … E flaku zogun e borës kryepingul në xham e la atje dy pika gjaku” (f. 96), dy pika gjaku si dëshmi, se heroizmi ka dhe trajtë tjetër …, braktisjen, harresën, ose moskuptimin …
* * *
Dranja tashmë është kujtim, ama, kryezonjë e librave të tij. Dhe “dëshiroj të mbesë përherë aty” (f. 78). I ftohtë atdheu i Martinit, rrashtë gur. Mermer me statuja të vdekura, pa vena gjaku përmes. Por poeti ia fal heshtjen, fyerjen, mosnjohjen, mohimin, kokëpremjen, vetëm … (shihni sa pak kërkojnë poetët!) të mbetet e vetmja hajmali “me mbetë gjithmonë para syve të mi si hana me fytyrë tjetër, gjithnjë e re dhe e vjetër në andrra e rrëmime …” (po aty). Shira të kithtë dhe borë dhe një brymë e përhershme vesh xhamet e mjegulluara të dritares … Fort mirë e di se një gjëmë i ka ndodhë Dranjës. “Rrashtës i shihen tash (jemi në vitet ’70-të) vetëm njolla të gjelbra e rava e deje gjaku …” Tash raportet e tij me të janë vetëm raporte dijesh e përvojash, histori dhe traditë dhe zhgënjim i plotë pa kthim.
* * *
I virgjër. Si bredh. Që lartësohet në vetmi. Dallëndyshja s’ka rrugë tjetër veçse të zbardhet. Në distancën që sa vjen e zmadhohet midis tij dhe atdheut, ka një mëri në mes. Një kthim shpine. Mur më mur. Dëshira për kthim tretet. Si plangprishës, jo se jo. Dhe ai bëhet vazhdimisht atje. I dëgjon tek zbresin orteqet. “Është barrë e vrame në bark të nanës” e kafen e pi të hidhur. Dhe ceremoninë e mortit e ngre atje, atje ku vatra e shuar ndez qirinjtë, ku nxijnë rrasat e tymtarit, ku hesht i ftohtë rrethi i hirit, ku shqyen fytyrën ujku i habitur, ku një pishë e heshtur nusëron në hone, ku loti e djeg syrin faqeve të nënës mes për mes … E guri u bë mall, e malli u bë qyqe, e qyqja u bë motër … E lugjeve të bardha qan me kujë: O vë-lla, ku je, në ç’ gur a degë dielli je tretur, o Gjon, o Gjon, o vë-lla …!
Por, dhimbja për të nuk dhëmb më …Tash qëndrojnë pezull shkëndijat … bërthamat e dritës ose madrigalet e mia …
* * *
Kthimi i Martin Camajt tash së voni në altar, të kujton një dhomë muzeu, me çelësa në bravën e harresës. Është një akt kortezie pa e bërë të vetin. Formaliteti i ndereve dhe dekoratave për të, për Nënë Terezën, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin etj., sikur të kujton një ftesë për të heshtur. Komuniteti shqiptar nuk është i gatshëm t’i bëjë frymë e veprim, funksion e pika referimi e, rrjedhimisht, jo lëndë të ndërgjegjes kombëtare. Dhe atje në altar, ka një heshtje të përzishme, një kontradiktë të mbyllur që nuk pranon të sqarohet. Dhe një kodoshllëk. Atje ku pranërrinë nderet e kombit, akoma çirren zërat panegjirikë për nënën Shqipëri, me gjak e lule mbuluar, ditirambe mbërthyer me gozhdë të ndryshkura, vaj pushkësh e male që s’dinë përse mendohen, bunkerë e vrasje dhe skelete të zgjatura eshtrash metalike si me qenë një pyll armature … Martini hesht. Si statujë që s’duhet të zgjohet nga mermeri. Por, dhe kështu, ai godet fisnikërisht si poet. Bleta është kthyer në flutur të murrme, anonime e popullore nga “ata që shkruajnë ndër ne” … që vjelin në ty fjalë e trajta e rima “figura të vjetrueme e deri shëmbëllesa ku fshihet palca e dhunës” (f. 88) Ndryshimet e frymës poetike me folklorin – sqaron poeti – duken si motër e vëlla, por ndryshojnë esencialisht si gjumi e vdekja, që s’shihen për së gjalli në jetë, vetëm ti si libër e unë si rrashtë”.
* * *
Martin Camaj është poeti më modern që lidh natyrshëm poezinë e re shqipe me De Radën, Mjedën, Migjenin, Lasgushin, syth i ri përtëritës i traditës më të mirë, sup më sup me poezinë evropiane.
E, paçka se jo fizikisht pranë, Shqipëria është e gjithhershme, kryezonja e dremitur e ëndrrave të tij, paçka se herë-herë e humbet besimin ndaj ashtës si i ati që shihte shpatullën e berrit dhe nuk i beson më profetizimit primitiv, ai gërmoi vazhdimisht në rrasht, në lëkurën e pergamenëve të lashtë e, atje, thellësive e honeve, gjeti fytyrën e saj, tempullare si të Afërditës … /Gazeta “Mapo”/