Telegrafi

Qëndrueshmëria ekonomike e Ballkanit arrihet vetëm përmes integrimit rajonal

Shtetet e Ballkanit duhet bashkërisht të angazhohen për integrimin rajonal, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e një tregu të përbashkët.
Përfaqësuesi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, Piter Dafi, tha se integrimi i vendeve të Ballkanit mund të ndikojë si në tërheqjen e investitorëve të huaj, po ashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kur investitorët duan të investojnë në një vend në rajon, ata shohin tërë tregun dhe jo vetëm një vend të izoluar. Në Kosovë dhe në vendet e rajonit ka pasur përparime në integrim dhe bashkëpunim dhe kjo është një hap pozitiv si për fqinjët tuaj, po ashtu edhe për ju”, ka thënë Dafi.

Drejtori i Institutit për studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, tha se rajoni i Ballkanit do të vazhdojë të përballet me shumë sfida.

Si pasojë e krizës ekonomike globale, Ahmeti theksoi se sivjet pritet të ulet interesimi i investitorëve për investime në rajon, të zvogëlohen dërgesat nga mërgimtarët, pasi shumë sish kanë humbur vendet e punës, si dhe të zvogëlohen donacionet.

Pjesëmarrësit e takimit thanë se hapja e tregjeve dhe heqja e barrierave do t’i ndihmonte sidomos prodhuesit. Ata u pajtuan se krijimi i një zone “mini-shengen” do të ndihmonte shumë zhvillimin ekonomik dhe kërkuan që të mbahen samite ekonomike për krijimin e politikave të përbashkëta. /rtk/