Telegrafi

Qëndron ulur me orë të tëra? Ja si ta zvogëlosh dëmin që ky veprim sjell

Të qëndruarit ulur për periudha të gjata kohe është e dëmshme për shëndetin tonë. Megjithatë, një mënyrë e lehtë për ta zvogëluar këtë efekt është të bësh një shëtitje të lehtë për pesë minuta çdo gjysmë ore

Ky është përfundimi kryesor i një studimi, i publikuar në revistën “Medicine & Science in Sports & Exercise”.

Në këtë studim, pjesëmarrësit – të cilët ishin të shëndetshëm – u vendosën në një laborator për tetë orë në ditë, duke përfaqësuar një ditë pune standarde.

Në një nga ditët, ata qëndruan ulur për të gjitha tetë orët, me vetëm disa pushime të shkurtra për tualet. Në ditët e tjera, studiuesit testuan strategji të ndryshme për të ndërprerë qëndrimin ulur duke bërë ecje të lehta. Për shembull, në një nga ditët, pjesëmarrësit ecnin për një minutë çdo gjysmë ore, ndërsa në një ditë tjetër, ecnin për pesë minuta çdo orë.

Qëllimi ishte të gjendej minimumi i ecjes së nevojshme për të zbutur efektet e dëmshme të qëndrimit të gjatë ulur. Studiuesit matën ndryshimet në nivelet e sheqerit në gjak dhe tensionin e gjakut, dy faktorë kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës.

Studimi tregoi se ecjet e lehta për pesë minuta çdo gjysmë ore ishin të vetmet që ulën ndjeshëm nivelet e sheqerit në gjak, krahasuar me qëndrimin ulur gjatë gjithë ditës. Këto ecje zvogëluan rritjen e sheqerit pas ushqimit me pothuajse 60%. Gjithashtu, kjo strategji uli tensionin e gjakut. Edhe ecjet më të shkurtra dhe më të rralla treguan përmirësime. Për shembull, vetëm një minutë ecje e lehtë çdo orë uli tensionin.

Përveç përfitimeve fizike, ecjet kishin edhe përfitime të rëndësishme në shëndetin mendor. Pjesëmarrësit që bënin ecje për pesë minuta çdo gjysmë ore raportuan më pak lodhje, gjendje më të mirë shpirtërore dhe ndiheshin më energjikë. Edhe ecjet një herë në orë ishin të mjaftueshme për të përmirësuar humorin dhe për të zvogëluar ndjesinë e lodhjes.

Një stil jetese ku të duhet të rrish ulur për periudha të gjata çon në sëmundje kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri në përqindje më të larta, në krahasim me ata që lëvizin gjatë ditës. Gjithashtu, rrit ndjeshëm rrezikun për vdekje të hershme, citon Anabel.

Edhe nëse bën aktivitet fizik çdo ditë, kjo mund të mos mjaftojë për të zvogëluar dëmet që shkakton qëndrimi ulur për periudha të gjata. /Telegrafi/