Reformat në arsim në Komunën e Kamenicës përveç nga partitë politike nuk po priten mirë as nga qytetarët. Në një diskutim publik, që ka organizuar komuna në fshatin Hodonoc, është sulmuar kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.
Në një video shihen qytetarë të cilët e gjuajnë me vezë makinën e kryetarit Kastrati.
Ndryshe në kuadër të kësaj reforme kryetari Kastrati ka paraparë që nga shtatori, nxënësi i Komunës së Kamenicës nuk do të ndajnë më klasën vetëm me mësuesin, apo me dy-tre shokë të tjerë.
“Me reformën të cilën jemi duke e ndërmarrë, klasët e shkollave fillore do të kenë mesatarisht 20 nxënës. Nxënësi i klasës së parë nuk do të dëgjojë më muhabete të adoleshentëve nëpër korridore, por do të ndajë ambientin me moshatarët e vet, ashtu sic e parashohin të gjitha standardet evropiane.”, thuhet në një njoftim të komunës së Kamenicës.
Po sipas këtij njoftimi riorganizimi i shkollave është hulumtuar dhe studiuar dhe konkludimin e gjeni në videon e mëposhtme.
Në bazë të kësaj reforme parashihet që nxënësit do të sistemohen nëpër shkolla përmes transportit të organizuar dhe siguruar nga Komuna. Cikli i ultë (klasët 0-5) do të jetë i ndarë nga cikli i lartë (klasët 6-9) në objekte shkollore të vecanta.
Në shkollën “Fan S. Noli” në Kamenicë do të vijojnë mësimin nxënësit e Busavatës, ndërsa në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë do të vijojnë mësimin nxënësit e Strezocit, Krilevës dhe Tugjecit.
Nxënësit e fshatrave Koretin, Topanicë dhe Petrit shkollimin fillor (0-5) do ta ndjekin në Koretin, ndërsa shkollimin e mesëm të ultë do ta ndjekin në Topanicë.
Nxënësit e fshatrave Rogoqicë, Hodonoc, Muqivërc, dy Karaqevat, Dajkoc, Kranidell dhe Sedllar, ciklin e ulët do ta vijojnë në Rogoqicë, ndërsa ciklin e lartë do ta vijojnë në Karaqevë të Epërme.
Nxënësit e fshatrave Hogosht, të dy Shipashnicat, Kopernicë, Dazhnicë, Lisockë, Gjyrishec, Poliqkë, Velegllavë, Desivojcë, Tërstenë dhe Laqiq shkollimin fillor do ta ndjekin në Hogosht ndërsa atë të mesëm të ultë në Shipashnicë të Epërme./Telegrafi/