Reforma që ka nisur në arsimin e Kamenicës, mund të jetë përdorur nga disa parti për kundër-fushatë, por kjo nuk ka bërë që kryetari i kësaj komune t’i bie pishman.
Përkundrazi, Qëndron Kastrati pret që në të ardhmen kjo reformë të replikohet nga të gjitha komunat e Kosovës.
Në një intervistë për PORTALI.info, ku ka folur për dy vjet qeverisje në Kamenicë, Kastrati ka thënë se zvogëlimi i numrit të shkollave në mënyrë që në shkollat e mbetura të ketë mjaftueshëm nxënës është mënyra më efikase për të luftuar rezultatin e dobët në testin PISA.
“Reforma në arsim do të jetë ndërmarrësi e pashmangshme në vitet që po vijnë anembanë Kosovës. Që ta luftojmë rezultatin e dobët në PISA, që ta mirëmbajmë shtetin tonë, që të ndërtojmë gjenerata konkuruese në tregun e ashpër global, të jemi të ndjeshëm ndaj të ardhmes së planetit dhe të jemi individë të përgjegjshëm të shoqërisë. Është e domosdoshme të krijojmë masë kritike, qytetarë të cilët mendojnë me mendjen e vet, shqyrtojnë punën e pushtetit dhe kontribojnë e janë konstruktiv, nuk paragjykojnë dhe e duan vendin”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, kjo reformë nuk nënkupton vetëm zvogëlimin e numrit të shkollave por edhe krijimin e lëndëve të leximit, furnizimin e shkollave me materiale dhe pajisje teknologjike, ndërhyrjen në infrastrukturën shkollore si dhe hapjen e Qendrave Mësimore.
Një qendër e tillë, sipas tij do të nisë punën në Kamenicë në vitin 2020.
Sa i përket premtimeve, Kastrati thotë t’i ketë kaluar pritjet.
“Kemi bërë tejkalim eksponencial të asaj për çfarë jemi zotuar. Projektet të cilat i kemi realizuar dhe jemi duke punuar aktualisht, tejkalojnë shumëfish vlerën e realizimeve në qeverisjet e kaluara. Për këtë jemi shumë të lumtur e krenar, mirëpo nuk e rrisim mendjen dhe vazhdojmë të përmirësojmë shërbimin për qytetarët e Kamenicës”, ka thënë kryetari i Kamenicës për PORTALI.info.
Ai krenohet me vlerësimin se është komuna e dytë më transparente në Kosovë.
“Ka momente të shumta të mrekullueshme të qeverisjes. Fillimi i projekteve, përfundimi i tyre. Lobimi tek organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare dhe rezultatet pozitive nga ky lobim. Vendosja e Kamenicës në pah për publikun nacional e internacional. Takimet e shumta me qytetarë të ndryshëm. Sukseset e sportistëve tanë janë krenaria jonë. Kamenica e gjelbër është kënaqësi e përditshme. Mirëpo nëse më duhet patjetër të veçoj një moment të caktuar: atëherë është takimi me fëmijë për festa të ndryshme. Energjia pozitive, dashuria për jetën, njerëzit, kafshët e natyrën, shpresa për të ardhmen. Të gjitha i gjejmë tek fëmijët. Më mbushin me energji dhe më japin forcë t’i përballoj edhe sfidat më të mëdha”, ka thënë Kastrati teksa ka folur për momentet e qeverisjes.
Komuna e Kamenicës, për shkak të specifikave gjeografike dhe demografike ka bërë që në të kaluarën të ketë shumë shkolla ku numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël.
Si rezultat i kësaj, komuna ka nisur një reformë ku disa shkolla i ka mbyllur. Komuna organizon bartjen e nxënësve në shkollat që ende funksionojnë në mënyrë që nxënësit krahas edukimit të kenë mundësi edhe socializimi me bashkëmoshatarët.