Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, ka reaguar përmes një postimi në facebook, pas kalimit të Ligjit për Prishtinën nga Qeveria e Kosovës.
Postimi i Pacollit:
Bashkëqytetarë të Prishtinës,
Qeveria e Republikës së Kosovës sapo ka kaluar ligjin për Prishtinën, obligim ky kushtetues, të cilin u vonuan ta përmbushin qeveritë e kaluara. Kjo vonesë në kalimin dhe humbjen e madhe të kohës e mundësive të cilat i sjell ligji, është faturë që padrejtësisht e pagoi kryeqyteti dhe qytetarët, sepse teket, inatet, interesat e subjekteve dhe politikanëve nuk pushuan asnjëherë.
Le të jemi të qartë ky është vetëm një hap, të cilin e përshëndesim, por duhet të presim dhe nëse kërkesat dhe nevojat e qytetit janë më të mëdha, ne duhet ta plotësojmë e ndryshojmë këtë ligj pas një kohe zbatimi në praktikë.
Një hap i parë dhe i mirë, por Prishtina ka nevojë për hapa të shumtë dhe të mëdhenj.
Prandaj, mjaft me politikanë, Prishtinës i duhet një menaxher.