Atifete Jahjaga nuk ka faj. Ajo nuk është problemi, është pjesë e tij. Ajo nuk e ka ditur kur e ka "uzurpuar" Presidencën e Kosovës se çfarë do të ndodhë me të dhe rreth saj. Zonja Jahjaga, si të gjithë politikanët dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës që kanë arritur lavdinë personale në pushtet, nuk dëshiron të largohet tani nga zyra presidenciale. Një vendim të tillë vështirë se do ta pranonte me qejf, edhe pse e "ndjenë" se është e paaftë profesionalisht dhe politikisht për të udhëhequr një pozitë kaq të rëndësishme.
Mirëpo, Atifete Jahjaga është "produkt" amerikan i politikanit, ashtu siç është Hashim Thaçi dhe shumica e liderëve të partive politike, siç janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, siç është vet shteti i Kosovës. Këto "produkte" politike kosovare kryesisht janë "krijuar" nëpër restorante dhe shtëpitë e diplomatëve ndërkombëtar e politikanëve kosovarë, në vend që kompromiset politike të arrihen në zyrat e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Kjo formë mund të jetë e mirë, vetëm për faktin se kur përballemi me "zgjedhje" politike si znj. Jahjaga, dikush më i fuqishëm duhet të mbajë kontrollin mbi sjelljet e tyre dhe t’u caktojë linjën që duhet ndjekur. Ky kontroll bëhet më i lehtë kur këto "zgjedhje" janë analfabetët politikë apo dikush me shumë dyshime mbi personalitetin e tyre!
Mirëpo, në këtë përzierje të miqve ka më shumë të këqija, sepse miqtë amerikanë pothuajse në shumicën e rasteve zgjedhjen e tyre e bëjnë pa menduar shumë nëse ajo miratohet nga shoqëria të cilës duhet t’i "shërbejnë" këta politikanë. Për "shefat" amerikanë rendësi ka dëgjueshmëria, jo dija! Dhe, kësaj i thonë demokraci amerikane. Ku një ambasador, si puna e Christopher Dellit, na thotë se për SHBA-në Presidentja Jahjaga është e mirë, e këtë na e përsëriti edhe ndihmëssekretari i SHBA-së për çështjet evropiane, Philip Gordon, atëherë nuk ka pse të mos pranohet si e tillë edhe nga qytetarët e Kosovës. Kështu ata na e rikujtojnë një kërcënim që ish Presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, u bënte "armiqve" të Amerikës kur deklaronte se kushdo që "ngatërrohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta paguajë shtrenjtë"!
Në këtë kontekst ne mund të bërtasim ditë e natë e të themi se Atifete Jahjaga nuk ka as minimumin e përgatitjes profesionale dhe politike për të qenë aty ku është (e cila jo që nuk di të formulojë e të thotë një mendim për ndonjë çështje, por edhe atë që ia shkruajnë këshilltarët nuk mund ta lexojë drejtë), dhe serish "protektorët" e këtij soji politikanësh do të na thonë se "nuk është puna e vendeve të tjera ta bëjnë politikën e jashtme të Amerikës".
Diplomacia amerikane as nuk dëshiron të dëgjojë e as të përballet me faktet që dëshmojnë se mënyra e "zgjedhjes" së zonjës Jahjaga është antikushtetuese, që kryetarë të partive kanë bërë mes vete për kusure politike. Madje, fare nuk i bënë përshtypje nëse nismëtar i shkeljes së Kushtetutës së Kosovë ka qenë pikërisht Ambasadori Dell.
Kështu, "për sa kohë vazhdon muzika, duhet të çohesh në këmbë dhe të vazhdosh të kërcesh”. Ne jemi ende duke kërcyer.
Tani, në mesin e disa prej akterëve të arritjes së kësaj marrëveshje jokushtetuese, "ekziston një tundim për ta parë rënien" e të gjithëve për toke, "si pasojë e idiotësisë dhe lakmisë individuale politike dhe karrieriste" të secilit prej tyre. Gazetarja Chrystia Freeland thotë se në raste të tilla, "t’ia vësh fajin gabimeve njerëzore është shumë më lehtë sesa të mundohesh të zbulosh problemet me sistemin që nxori në pah kjo krizë". Sipas saj, "kjo tezë ushtron një tërheqje emocionale – në ditët e sotme të gjithë duan të të urrejnë", siç "ushtron edhe një tërheqje intelektuale – ku të gjithë duan të ndihen superiorë ndaj zotërinjve të pasur të Universit".
Ky sistem juridik që po prodhon vazhdimisht kriza politike në Kosovë, nuk e ka zanafillën tek ndryshimet e paralajmëruara kushtetues, por tek tre faktorë të tjerë: tek lidershipi i paaftë dhe i paskrupullt që sundon partitë politike në Kosovë; tek përzierja vend e pavend në çështje e paçështje të diplomatëve ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë; dhe tek Gjykata Kushtetuese e Kosovës që vendimet e veta i merr mbi bazën e direktivave të caktuara politike që i arrijnë nga dy adresat e mësipërme, në vend që ta luajë rolin që i ka përcaktuar Kushtetuta e Kosovës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund të deklarohej se një nismë e Kuvendit të Kosovës është antikushtetuese, derisa një marrëveshje politike e arritur para disa muajve (e shndërruar në Rezolutë në Kuvend dhe që hap rrugën për ndryshimet kushtetuese), nuk ishte antikushtetuese. Nëse do të kishte një vendim të drejtë gjyqësor, do të dëshmohej se Ahtifete Jahjaga, sikur edhe paraardhësi i saj Behxhet Pacolli, po qëndron ilegalisht në Presidencën kosovare.
Mirëpo, këtu po dëshmohet se Hashim Thaçi ka përdorur Gjykatën Kushtetues për arritjen e dy qëllimeve të tija politike: zgjedhjen e një Presidenti/je (nga zarfi doli të ishte Ahtifete Jahjaga), që do t’ia hiqte qafe dy rivalë politikë; dhe mbetjen e tij në karrigen e kryeministrit, që ndryshe nuk do ‘a kishte të sigurt. Ngutia e kryeministrit Thaçi për ta përshëndetur vendimin e Gjykatës nuk është asgjë më shumë se kthim borxhi Presidentes Jahjaga, e cila vetëm disa javë më parë në një përvjetor të PDK-së i kishte thurur lavde heroizmi Thaçit.
Në anën tjetër, dueti politik Jahjaga-Thaçi, Isa Mustafën dhe Behxhet Pacollin i futën në "konflikt" me "protektorët" e vet amerikanë. Një përballje e tillë nuk do të jetë e lehtë për Mustafën dhe Pacollin, ndërsa që format e presionit mbi duetin Thaçi-Jahjaga, si bllokada apo braktisja e Parlamenti nga deputet e LDK-së, ose kërcënimi me dalje nga qeveria nga AKR-ja, nuk do të lejohen të realizohen nga amerikanët. Ndërsa, një shkuarje në zgjedhje të reja, fare nuk u konvenon Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli. I pari për faktin se si po i shkojnë punët, vështirë se mund të fitojë, ndërsa i dyti vështirë se do të mund të futet më në Parlament. Edhe AAK-në e tmerron një garë e re zgjedhore pa Ramush Haradinajn në Kosovë, ndërsa që Vetëvendosja e gatshme për zgjedhje kurdoherë nuk merret seriozisht!
Kjo situatë politike po e trimëron Hashim Thaçin dhe po e relakson Ahtifete Jahjagën, që bashkërendojnë veprimet e brendshme politike me amerikanët, në kurriz të rivalëve politikë. Kjo edhe atëherë kur Ahtifete Jahjaga e "di" se kështu si është zgjedhur dhe po mendon të vazhdojë, nuk e përmbushë Nenin 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që thotë se "Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës".
Kjo sjellje do ta dëmtojë zonjën e "dashur" në Presidencë, e cila përveç që nuk ka legjitimitetin qytetarë, tani po hapë "fronte" edhe me partitë politike, të cilat duket se do ta bojkotojnë dhe shpërfillin politikisht dhe institucionalisht, dhe e cila shpërfillje do të ta dërgonte Kosovën nga kjo krizë në një te re.
Dhe ,për fund: "Anarkia nuk do të thotë domosdoshmërisht kaos apo trazirë, por mungesë e një autoriteti legjitim dhe të centralizuar".