Në Serbi opinioni publik është trazuar pas publikimit të një interviste të mëhershme të ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bocan Harçenkos në ditoren “Politika”, e cila njihet se është e afërt me pushtetin në Serbi.
Harçenkos kishte deklaruar se qëndrimi i pandryshueshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj tematikës së Kosovës është një nga parakushtet e rregullimit të problemit.
“Definitivisht, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të vërtetohet në KS të OKB-së duke sjellë rezolutë të re, e cila do ta zëvendësonte Rezolutën në fuqi 1244”, kishte thënë ai.
Duke u konsideruar se po afrohet koha e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një deklaratë e tillë i ka frikësuar serbët. Reagimet ishin të shumta dhe dolën konstatime se edhe Rusia e ka ndryshuar opinionin e saj në raport me Kosovën.
Profesori universitar i Fakultetit të Shkencave politike, Ardian Kastrati thotë për KosovaPress se serbët shqetësohen për deklaratat e diplomacisë ruse, sepse e dinë se janë rusët ata që vazhdimisht kanë kalkuluar për interesa të veta gjatë historisë.
“Në Serbi ka shumë serbë që e shohin Moskën si orientim politik dhe mbështetje, mirëpo ka edhe të tjerë që kanë qëndrime perëndimore. Në këtë kohë, është mëse e qartë se një deklaratë e tillë e ambasadorit rus i trazon serbët – veçmas prorusët”, thotë Kastrati.
Kurse, redaksia serbe e Sputnikut të Moskës, dje ka realizuar një intervistë me ambasadorin Harçenko. Ai ka thënë se nuk ka pritur që intervista e tij e mëhershme do të zgjonte kaq shumë diskutim.
“Në faqen e parë janë nxjerrë nga konteksti disa fjalë. Për shkak të kësaj ka ardhur deri te ajo se në po kërkuam një rezolutë të re, gjë që nuk qëndron”, ka thënë Harçenko për Sputnik.
Profesor Kastrati, këtë e interpreton si qëndrim kaotik të Rusisë, duke thënë se vërtet Rusia problemet e ndryshme në botë i shikon sipas interesit të saj.
“Moska zyrtare është e interesuar që të ketë konflikt në Ballkan. Megjithatë, ata kalkulojnë shumë. Rusët nuk kanë qëndrime konstruktive dhe koherente. Luajnë shumë dhe serbët e dinë mirë këtë, prandaj edhe trazohen shpesh”, thotë ai.
Ndërkaq sipas njohësit të sigurisë Nuredin Ibishi, megjithë përpjekjet ruse për destabilizim, rajoni i Ballkanit ngadalë, por sigurt po i konsolidon radhët e sigurisë.
“Rusët vazhdimisht përpiqen që ta sponsorizojnë një krizë në Ballkan. Në aspektin e sigurisë, momentalisht janë të koncentruar në Mal të Zi, ku po përmes ndikimit që e kanë në klerin ortodoks serb, po nxisin trazira. Në Kosovë, ndikimi rus është te një pjesë e serbëve të cilët janë shumë lehtë të manipulueshëm, dhe të cilët zakonisht kanë qenë pjesë e krimeve të luftërave në këtë rajon. Mirëpo, këta keqpërdoren si instrument nga rusët, veçmas në vendet ku ka konflikte”, thotë Ibishi për KosovaPress.
Në anën tjetër, zërat properëndimorë në Beograd shfaqin shqetësimin për ndikimin destruktiv rus në Serbi.
Drejtori i Institutit për Siguri Nacionale dhe Internacionale në Beograd, Darko Trifunovic, në një televizion serb, ka deklaruar se Rusia e ka ndarë Malin e Zi nga Serbia.
“Rusia e ka pranuar pavarësinë e Kroacisë para SHBA-së. Ata e shikojnë interesin e vet dhe aspak nuk u intereson për serbët”, ka thënë Trifunovic.
Këtë tezë e mbështet edhe Nuredin Ibishi. Ai thotë se rusët dëshirojnë vetëm t’i piketojnë pozicionet e tyre gjeostrategjike në botë dhe këtë e bëjnë përmes interesave afatshkurtër.
“Ka indikacione se edhe vet pushteti në Serbi, ngadalë po shkëputet nga ndikimi malinj rus. E kujtoni kur Vuçiqi me një PSE të madhe iu drejtua rusëve kur doli ajo videoja që zyrtari i inteligjencës ruse blinte informacione sekrete nga një serb aty. Kjo është shumë domethënëse. Me këtë PSE, ai ka transmetuar mesazh. Pavarësisht se Vuçiqi është edhe një aktor i mirë dhe shpesh edhe ai kalkulon”, thotë Ibishi. /KP/