Deklarimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rreth sanksioneve që mund t’i vendosen Serbisë nëse nuk pranon planin evropian për dialogun, po shihen si reflektim i tij për këtë proces. Ndryshimi i qëndrimit të Vuçiqit, vlerësohet se mund të ndikojë në zhbllokimin e dialogut të Brukselit. Mirëpo në anën tjetër, njohës të këtij procesit thonë se deklaratat e tij duhet të merren me dyshime.
Sanksionet e ashpra nga ndërkombëtarët ndaj Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka nxjerrë në opinionin publik serb si pasoja të mundshme nëse ai refuzon planin evropian për dialogun.
Ky veprim, në Kosovë është parë si përgatitje e terrenit për ta pranuar propozimin që po shtyhet përpara me ngulm nga fuqitë e mëdha.
Por, kjo deklaratë e presidentit serb, e bërë mbrëmjen e së hënës, duhet të merret me dyshime dhe rezerva, thotë Arbër Fetahu nga Grupi për Studimet Juridike dhe Politike.
Fetahu, i cili monitoron procesin e dialogut, thekson se deklarata e Vuçiqit ka disa synime.
“Njëra nga qëllimet e kësaj deklarate dhe këtij pozicionimi të presidentit Vuçiq është strategjia ndoshta që faji të hidhet te Kosova nëse ka një bllokim të marrëveshjes apo planit evropian të propozuar tashmë”, ka thënë Fetahu nga GLPS.
Duke folur se sa të rënda mund të jenë sanksionet nga fuqitë evropiane, Vuçiq përmendi nevojën e një kompromisi me Kosovën.
Këtë retorikë, Fetahu e sheh si pjesë së strategjisë së komunikimit të Vuçiqit, për t’ua arsyetuar serbëve çfarëdo vendimi që mund të marrë në të ardhmen.
“Një shitje te opinioni publik serb i një marrëveshjeje me Kosovën ku njëfarë forme përmbahet njohja de fakto e Serbisë ndaj Kosovës duhet ta ketë edhe një lloj strategjie të komunikimit me publikun se Serbia është vënë me shpatulla pas murit dhe nuk opsione tjera. Por, sidoqoftë në një vështrim të përgjithshëm, ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe në veprimet tona si Kosovë, karshi këtij procesi, karshi diskutimit në publik”, ka thënë Fetahu.
Megjithatë, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ndryshimi i qëndrimit nga Serbia pritet të ketë ndikim pozitiv në dialog.
“Kjo nënkupton që do të intensifikohen edhe më shumë negociatat sepse ishin të bllokuara negociatat për shkak të refuzimit të Serbisë dhe mund të shkohet drejt një marrëveshjeje. Do të thotë rriten gjasat për një marrëveshje sa më të shpejtë”, ka deklaruar Bytyqi.
Presidenti serb nisi ta quaj koncept të pranueshëm propozimin e Francës dhe Gjermanisë pas vizitës në Beograd të pesë emisarëve ndërkombëtarë të premten e kaluar.
Vizita e tyre në Kosovës dhe më pas në Serbi ishte në kuadër të përpjekjeve për dinamizmin e dialogut ndërmjet dy shteteve./RTV Dukagjni/