Site icon Telegrafi

Qendrim Gashi: Bërlloku akademik e shkarkoi rektorin

Profesori i Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Dr. Qëndrim Gashi, ka theksuar se fatkeqësia e UP-së është se në luftën për integritet akademik nuk është se nuk pritej që shumica e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues do ta mbronin me fanatizëm mashtrimin e keqpërdorimin akademik.

Ai në profilin e tij në Facebook shkruan se disa i gëzojnë privilegjet e të qenit ende në UP duke iu falënderuar klimës mbizotëruese që i ndëshkon punëtorët e zellshëm dhe i shpërblen mashtruesit e papërmirësueshëm.

“Kolegët e tyre, anëtarë Senati, që shpërblyen kolegë e funksionarë duke u bazuar në bërllok akademik dhe nuk e panë kurrë të udhës të japin përgjegjësi për ato vepra, u ngritën për të kërkuar shkarkimin e një rektori që po tentonte të vendoste rregull në institucionin më të rëndësishëm të arsimit në Kosovë. Rregulli u çrregullonte punët e pista. Nuk mund të lejonin që dikush që nuk dirigjohej me telekomandë nga grupe të dyshimta të qëndronte në krye të UP-së për një kohë më të gjatë”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, në vendimin e sotëm që sulmoi progresin në UP, kishte edhe të tillë që i takojnë grupit të ashtuquajtur ‘pragmatik’, që kërkon rezistencë ndaj të keqes veç kur ajo nuk ua prek atyre as më të voglin interes.

“Ky është leksion i dhimbshëm se nuk shkojmë dot përpara si shoqëri nëse nuk jemi të gatshëm të bëjmë për vete as edhe një sakrificë të vetme. Sidoqoftë, UP-ja nuk u fundos sot. Ajo është më e fortë se gishtat e kapove të mediokritetit, sado lart në sistem të jenë të instaluar ata. Por, me vendimin e sotëm u dëshmua se për studentët dhe stafin e UP-së, si dhe për qytetarët të cilët pa dyshim dëshirojnë që UP-ja të jetë në ballë të ideve të avancimit tonë shoqëror e jo në ballë të skandaleve, rrugëtimi mbetet i gjatë dhe tejet i vështirë”, shkruan Gashi.

Ai e ka falënderuar rektorin e derisotshëm, si koleg, që dëshmoi sipas tij, se megjithatë në UP ka profesorë dinjitozë që kanë mendim të tyre dhe që e duan UP-në më shumë se privilegjet e pozitave udhëheqëse.

“Faleminderit profesor Zejnullahu”, ka shtuar Gashi.

Ndryshe, sot iniciativa e senatorëve të UP-së për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu u miratua në Këshillin Drejtues. Anëtarët e këtij këshilli i dhanë mbështetje kërkesës së senatorëve për shkarkimin e Zejnullahut. Votimi i fshehtë tregoi që të 6 anëtarët e Këshillit votuan pro shkarkimit./Telegrafi/ 

Exit mobile version