Në dhomën e komandës në qendrën ruso-serbe të ndihmës në jug të Serbisë, ka ekrane të mëdha të mbikëqyrjes. Në depo, pajisje shpëtimi. Një ndërtesë e papërfunduar ngjyrë gri prej betoni, shërben si një vend i trajnimi.
Por, a është kjo një qendër ruse e ndihmave në raste fatkeqësish në Serbi, siç pretendon Moska, apo një qendër spiunazhi e Kremlinit në zemër të Ballkanit?.
Disa organizata joqeveritare perëndimore dhe analistë ushtarak, thonë se rusët kanë krijuar një bazë të maskuar ushtarake për të përgjuar interesat amerikane në Ballkan, njofton VoA.
Derisa Serbia është ende e afërt me Rusinë, fqinjët e saj janë shumë dyshues në praninë dhe qëllimet e Moskës, posaçërisht vendet e ish bllokut sovjetik si Bullgaria, Rumania apo Hungaria, që vuajtën sundimin me dorë të hekurt të komunistëve për disa dekada, pas Luftës së Dytë Botërore.
Nëse bëhet fjalë për operacion ushtarak, ky do të ishte i pari që ndërmerr Kremlini në Evropë jashtë ish Bashkimit Sovjetik, që nga rënia e traktatit të Warshavës në vitet e 90-ta.
Analistët perëndimor thonë se baza që drejtohet nga qeveria serbe dhe ajo ruse dhe e vendosur në afërsi të aeroportit në qytetit jugor të Nishit, është përgjigje e Kremlinit ndaj zgjerimit të NATO-s në rajon. Të gjitha vendet përreth Serbisë, janë në aleancën ushtarake perëndimore ose duan të jenë aty.
Partneri rus në qendër është Ministria e saj për situata të jashtëzakonshme, një mekanizëm i fuqishëm gjysmë-ushtarak, veprimtaritë e së cilës përfshijnë ndihmë në raste fatkeqësish, por gjithashtu kryen punë për shërbimet e sigurimit rus.
Kjo ministri ka kryer punë për një kohë të gjatë në Serbi,përfshirë edhe deminimin dhe largimin e mjeteve të pashpërthyera të mbetura nga periudha e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.
Në ceremoninë e hapjes së qendrës në vitin 2012, Sergei Shoigu – atëbotë ministër rus i emergjencave, aktualisht ministër i mbrojtjes, tha se spekulimet që Rusia dëshiron të vendosë baza ushtarake në Serbi, janë, “fabrikime të pastra”.
Zyrtarët e NATO-s kanë refuzuar të komentojnë natyrën e bazës duke thënë se nuk janë shumë të shqetësuar me rolin e saj, çfarëdo që të jetë. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë që nëse Serbia bëhet anëtare e bllokut, atëherë duhet t’u bashkohet programeve evropiane të ndihmave dhe të ndahet nga Rusia.
Gjatë qëndrimit në të ashtuquajturën qendër humanitare ruso-serbe, gazetarët thanë se kanë parë pak dëshmi që ajo përdoret për diç tjetër, përveç mjeteve kundër vërshimeve, fikjes së zjarreve në pyje apo përballjes me fatkeqësi tjera natyrore.
Pamjet ne ekranet në qendrën komanduese që u panë nga gazetarët e Asociated Press, ishin kryesisht nga kamerat vëzhguesve të vendosura në qendër.
Në depo ishte një ambulancë e prodhimit rus, tenda, barka shpëtimi dhe pajisje të zjarrfikësve.
Bashkëdrejtuesi rus, Viacheslav Vlasenko, tha se qendra është larg të qenit e pajisur për të spiunuar Rumaninë ku janë të vendosura bazat antiraketore amerikane apo Kosovën, ku janë të vendosura trupat paqeruajtëse të NATO-s dhe një bazë amerikane.
“Është e pamundur që të ndryshohet, që të kthehet në qendër spiunimi. Është shumë e vogël. Ne kemi një personel prej tre serbësh dhe pesë rusësh, asgjë më shumë”, tha ai.
Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësonte në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO.
Bombardimet e vitit 1999 të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, i kanë kthyer serbët kundër perëndimit dhe drejt Rusisë.
Banorët e Nishit, që pësoi në bombardimet e vitit 1999, janë të ndarë rreth pranisë rusë në qytetin e tyre.
“Më me dëshirë do të shihja vëllezërit rus në qytetin tonë, sesa llumin perëndimorë”, tha një banor i Nishit.