Në parkun e Gërmisë që moti ishte ndërtuar një objekt me dedikim si Qendra Protokollare e Kosovës, por fatkeqësisht kurrë nuk u përfundua.
Gërmadhat e këtij objekti vazhdojnë të mbesin strehim i përkohshëm i shumë përdoruesve të lëndëve narkotike, kryesisht të atyre që kanë prekur fundin e këtij rrugëtimi, përdoruesit e heroinës.
Në këtë hapësirë mund të shihen edhe bidonë të heroinës, një teknikë e re që përdorët për t’i shumëfishuar efektet.
Nuk është zor që në hapësirat e këtij objekti të gjesh shiringa e mjete tjera që janë përdorur nga narkomanët. Kreativitetin në muret e këtij objekti e kanë jetësuar edhe artistët e grafiteve.
Një objekt tjetër në Prishtinë, afër qendrës në rrugën “Flaka e Janarit” është ish-qendra tregtare “Inxhinieringu” në të cilën dikur ishin të vendosura shumë biznese, por sot janë vetëm disa sosh në katin e parë.
Dy katet tjera sot shfrytëzohen nga përdoruesit e lëndëve narkotike si strehë për konsumim. Brenda këtij objekti, në pothuajse çdo hapësirë mund të hasësh mjete të ndryshme që konsumuesit e lëndëve narkotike i përdorin.
Këtu madje edhe në pikë të ditës mund të hasësh përdorues të lëndëve narkotike.
Emisioni MAT në Klan Kosova ka hasur në dy burra në këtë objekt, të cilët pa ju trembur fare syri aplikojnë metodën e tyre të përpunimit të kokainës në atë që e njihet si krek.
Situata si kjo dhe të ngjashme kanë detyruar pronarët e disa lokaleve afariste që t’i mbyllin ato.
Përveç në dy katet e larta, të cilat janë shndërruar në vatër të përdoruesve të narkotikëve, qëndrimi është bërë i vështirë edhe në katin përdhese, ku mbërrin kundërmimi nga mbeturinat që përdoruesit e drogave lënë pas.