Telegrafi

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike kërkon shqyrtimin e rregullores së “Prishtina Parking”, nga komuna thonë se është në përputhje me ligjin

Komuna e Prishtinës vazhdon të lë në fuqi Rregulloren e “Prishtina Parking” pavarësisht kërkesës për rishqyrtim të ligjshmërisë së saj nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL).

Kërkesa për shqyrtimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës është parashtruar që 3 muaj, transmeton Telegrafi.

Ndër mangësitë kryesore të evidentuara dhe të paraqitura në Rregullore sipas Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), janë tejkalimi i kompetencave të NPL “Prishtina Parking” në menaxhimin e hapësirave publike jashtë parkingjeve publike, kundërligjshmëria e mandatit të NPL “Prishtina Parking” për vendosjen e bllokadave dhe konfiskimin e veturave, mos adresimi i disa propozimeve të votuara nga asamblistët në draftin final të Rregullores, mos adresimi i rekomandimeve nga Ministria e Drejtësisë në vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores dhe mungesa e çmimores për Parkingjet Private dhe për Zonën 3.

Ndërkaq, në një deklaratë për Telegrafin nga komuna e Prishtinës, saktësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim thanë se rregullorja është në përputhje me ligjin dhe në këtë aspekt rregullorja ka konfirmimet adekuate.

“Rregullorja është ne harmoni me ligjin dhe nuk shkel ndonjë element të ligjshmërisë në vendin tonë. Kjo edhe për faktin se rregullorja i u është nënshtruar filtrave administrative të zyrave përkatëse brenda Komunës se Prishtinës, përfshirë Zyrën Ligjore të Komunës së Prishtinës, por edhe institucioneve tjera. Natyrisht, ka dallime në opinionet lidhur me politikat e përgjithshme të organizimit të parkingjeve, por në aspektin ligjor, rregullorja ka konfirmimet adekuate”,  tha Halil Halili, zyrtar i lartë për Sinjalizim.

Ai shton se nuk ka cenim të ligjshmërisë, por që janë të gatshëm për të sqaruar secilin element me cilën do palë.

“Në këtë aspekt, duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës përveç verifikimit të ligjshmërisë përmes zyrës ligjore dhe konfirmimit të përputhshmërisë se rregullores me ligjet përkatëse të kësaj fushe, sidomos me Ligjin e Trafikut në vend (me qene se çështja e parkingut është plotësisht çështje e trafikut) konsideron se nuk ka cenim të ligjshmërisë. Rrjedhimisht, pas bashkëpunim dhe që kemi me ndërmarrjen, në emër të NPL Prishtina Parking, konfirmojmë gatishmërinë për të sqaruar secilin element për cilën do palë për të konsumuar dilemat e palëve të treta në raport me ligjshmërinë e rregullores. Në të kundërtën, opsion i garantuar nga legjislacioni vendor për të gjitha palët është që çështja të adresohet edhe përmes proceseve civile gjyqësore”, tha ai. /Telegrafi/