Site icon Telegrafi

QKSS shpalos 20 rregulla për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport ku përvijohen 20 rregullat thelbësore që duhet të respektohen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Raporti bazohet në analizën e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që dalin nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori 2015.

Asociacioni, siç parashihet me marrëveshjet, është krijuar për të shërbyer si mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në Kosovë në sistemin ligjor dhe politik të shtetit.

“Rregullat e parashtruara në raportin tonë janë të rëndësishme për të siguruar që themelimi i ASM-së të përputhet me Kushtetutën e Kosovës dhe të respektojë parimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të vitit 2015”, tha Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv i QKSS,.

Ndërsa Ramadan Ilazi, udhëheqës i Hulumtimeve në QKSS, shtoi, “Ne besojmë se këto rregulla ofrojnë një kornizë të balancuar për qeverinë e Kosovës që të vazhdojë me themelimin e ASM-së, duke adresuar shqetësimet por edhe duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet të gjitha palëve të përfshira dhe integrimin e komunitetit serb të Kosovës. .”

Për më tepër, këto rregulla luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e një opinioni të favorshëm nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Siç thuhet në vendimin e dhjetorit 2015, kërkohet që qeveria t’i paraqesë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim vendimin dhe statutin për krijimin e ASM-së. Respektimi i këtyre rregullave jo vetëm që siguron respektimin e kërkesave kushtetuese, por gjithashtu forcon mundësinë e marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Gjykata Kushtetuese për kuadrin themelor të Asociacionit.

Rregullat kryesore për themelimin e Asociacionit:

1. Përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 që rregullon parimet e normalizimit të marrëdhënieve.

2. Respektimi i nenit 93 të Kushtetutës së Kosovës lidhur me kompetencat e qeverisë së Kosovës.

3. Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe (BSHK) në Kosovë nuk mund t’i nënçmoj komunat pjesëmarrëse si njësi bazë të vetëqeverisjes lokale.

4. Përputhshmëria me nenin 44 të Kushtetutës lidhur me lirinë e asociimit.

5. Pajtueshmëria me nenet specifike të Kushtetutës së Kosovës që kanë të bëjnë me pushtetin lokal, parimet e përgjithshme dhe organizimin e vetëqeverisjes lokale.

6. Përfshirja e bashkëpunimit ndërkomunal si parim themelor.

7. Kriteret e anëtarësimit bazuar në nenin 124(4) të Kushtetutës së Kosovës.

8. Sigurimi i përfaqësimit të larmishëm në personelin e Asociaicionit nga të gjitha grupet etnike në komunat pjesëmarrëse.

9. Kompetencat e harmonizuara me marrëveshjen e vitit 2013, roli koordinues për bashkëpunimin ndërkomunal që mbulon fusha si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, kultura dhe mirëqenia sociale.

Vrajolli theksoi se, “Themelimi i Asociacionit është një hap i rëndësishëm drejt nxitjes së bashkëpunimit ndëretnik dhe gjithëpërfshirjes në Kosovë. Ne besojmë se rregullat e përshkruara do ta udhëheqin procesin dhe do të adresojnë shqetësimet legjitime të të gjitha palëve të interesuara”. /Telegrafi/

Exit mobile version