Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur fituesit e subvencioneve për realizimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik. Nga gjithsej 12 projekte të aplikuara, tri shtëpi filmike u përzgjodhën për të marrë mbështetjen financiare të nevojshme për realizimin e ideve të tyre kinematografike.
Fituesit e këtij konkursi janë:
Ikonë Studio, fitoi subvencionin më të madh prej 340 mijë eurosh për projektin “Dua”. Producent i këtij filmi është Valon Bajgora, ndërsa regjisore dhe skenariste është Blerta Basholli.
Plan Bee Film, me projektin “Dua të shkoj sërish në det”, fitoi një subvencion prej 240 mijë eurosh. Valmira Hyseni është producente e filmit, ndërsa Leart Rama është regjisor dhe skenarist.
Kot Production, që u përzgjodh për realizimin e filmit “Gjurmë”, përfitoi një shumë prej 220 mijë eurosh.
Producent i këtij projekti është Jon Gojani, regjisore është Rita Krasniqi derisa skenari është shkruar nga vetë Jon Gojani dhe Rita Krasniqi.
Konkursi ishte hapur më 12 dhjetor 2024, ndërsa përzgjedhja u bë nga një juri profesionale e përbërë nga Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, po ashtu nga komisioni financiar i përbërë nga Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja.
Kjo mbështetje e Qendrës Kinematografike të Kosovës synon të inkurajojë dhe fuqizojë industrinë filmike vendore, duke sjellë në ekran histori të reja që premtojnë të lënë gjurmë në skenën kinematografike. /Telegrafi/