Site icon Telegrafi

Qendra Historike e Prizrenit e (pa)dobishme për shqiptarët

Në Prizren janë përzgjedhur tre anëtarët e parë të Këshillit, ndërkohë i është dërguar ftesa Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kishës Katolike për të dërguar përfaqësuesit e tyre.

Hajrullah Çeku, ka deklaruar se aktualisht janë në fazën e konsultimeve të brendshme për të bërë një deklaratë në të cilën do të distancohen nga emrat që janë përzgjedhur për ta përfaqësuar shoqërinë civile në Këshill. “Ne patëm bërë thirrje që asnjë organizatë e shoqërisë civile të mos bëhet pjesë e Këshillit. Por, janë gjetur këta emra sa për ta çuar përpara procesin”, ka thënë Çeku për Telegrafin.

Në anën tjetër, drejtori Paçarizi ka thënë se në rast se Çeku thotë se përfaqësuesit e zgjedhur nuk e përfaqësojnë shoqërinë civile, atëherë është absurd i vërtetë që ai për veten pretendon se e përfaqëson të gjithë shoqërinë civile.

“Ka pasur një konkurs publik, por atë e kanë bojkotuar disa kuazi-organizata. Është çështje tjetër që persona të caktuar për poenta politikë dëshirojnë që të promovohen, edhe pse ata janë pakica”, ka thënë Paçarizi për Telegrafin.

Ai ka thënë se komunitetet fetare islame dhe katolike kanë njoftuar se i kanë përfaqësuesit e tyre, por vetëm pritet që të zyrtarizohen. Ndërkohë, Çeku thekson se menjëherë pas miratimit të Ligjit u patën bërë thirrje përfaqësueseve fetarë islamë dhe katolikë për ta bojkotuar Këshillin.

“Prej asaj kohe përfaqësuesit fetarë nuk janë deklaruar. Ndërkohë që Bashkësia Islame pati lëshuar një deklaratë kundër miratimit të Ligjit”, ka thënë Çeku.

Ndërkohë, drejtori Paçarizi thotë se Këshilli është çështje e kryer, ndërsa Kuvendi Komunal është pajtuar për formimin e Qendrës Historike në Prizren.

“Qendra pritet të formohet, por problemi është se deri tash Ministria e Kulturës nuk e ka sqaruar se si do të paguhen këta njerëz. Themelues është Komuna, por ligji thotë se e financon Qeveria’, ka shpjeguar Paçarizi.

Kundër miratimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Hoçës së Madhe janë mbajtur protesta, janë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime dhe ishte bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë përpilimit në Komisionet parlamentare ka pasur kundërshtime të ashpra, por Ligji është shtyrë përpara nga ana e shefit të ICO-së, Pieter Faith dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët patën marrë pjesë edhe në mbledhjen përfundimtare kur janë miratuar konkluzionet e punës së Komisioneve parlamentare.

Kundërshtuesit e këtij Ligji pretendojnë se ai krijon diskriminim pozitiv për Kishën Ortodokse, por mbështetësit theksojnë se baza e ligjit derivohet nga obligimet e marra sipas Pakos së Ahtisaarit. (Agim Fazliu) / Telegrafi/

Exit mobile version