Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) ka reaguar pas zgjedhjes së Luljeta Aliut anëtare të Komisionit të Pavarur për Media.
ECPMF ka thënë se Aliu mbështet publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet e pavarur.
“Aliu ka përkrahur me zë, rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe politikat e saj. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”, thuhet në reagimin e kësaj qendre.
Tutje kjo qendër thotë se ky zhvillim bie ndesh me depolitizimin e KPM-së dhe do ta raportojë atë edhe në Këshillin e Evropës.
“Në dritën e ofertës së Kosovës për anëtarësim, ne do të iniciojmë menjëherë një shkëmbim me Këshillin e Evropës dhe PACE (shënim: Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) për t’i informuar ata për këtë zhvillim shqetësues që do të ketë një ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”, thuhet tutje në njoftim.
Edhe nga partitë opozitare ka pasur kritika për këtë zhvillim në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje e politizoi edhe KPM-në
“Përgëzime edhe njëherë Lëvizjes Vetëvendosjes, për politizimin e KPM-së, duke përzgjedhur sot, si anëtare të këtij Komisioni përkrahësen dhe militanten e tyre, znj. Luljeta Aliu”.
Deputetët në seancën e sotme plenare kanë votuar në mënyrë të fshehtë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.
“Për anëtare të këtij Komisioni të Pavarur të Mediave, nga radhët e grave me 48 vota zgjidhet anëtare, Luljeta Aliu Krasniqi. Kurse, për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve nga katër kandidatë sa i patëm në rubrikën e dytë, nuk ka arritur të zgjidhet asnjë anëtar. Meqë Granit Musliu i ka 24 vota, Xhevat Latifi me 40, Veton Kasapolli me 41, kurse Jeta Abazi Gashi me 14 vota. Prandaj, nuk e ka arritur asnjëri numrin e 46 votave, sa ishin të nevojshme për tu zgjedhur anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca./Telegrafi/