Site icon Telegrafi

Qendra e të sëmurëve psikiatrik në Shtime me mungesë të stafit adekuat

Avokati i Popullit ka shpreh brengosjen se në Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të sëmurëve kronik psikiatrik në Shtime, nuk ka staf profesional, pastaj ndihmësit mjekësorë nuk kanë asnjë trajnim specifik për punën me pacientët me çrregullime kronike psikiatrike, si dhe numri dhe cilësia e aktiviteteve psiko-sociale dhe rekreative është shumë i mangët.

Kështu thuhet në raportin e ri me rekomandime nga Avokati i Popullit lidhur me Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të sëmurëve kronik psikiatrik në Shtime, ku thuhet se mungojnë psikologët dhe terapistët. Ndërsa, lidhur me kushtet e banimit në Qendër, vlerësohet se janë mesatare.

Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës të Avokatit të Popullit, të realizuar më 16 maj 2018 në Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime.

Sipas një komunikate të Avokatit, qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i respektimit të të drejtave të personave të personave me çrregullime mendore, mbrojtja dhe promovimi i shëndetit mendor, parandalimi i keqtrajtimit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës për personat me çrregullime mendore.

“MKPT ka vërejtur një qasje të afërt dhe miqësore nga ana e stafit ndaj pacientëve, pra kryesisht vërehej një klimë pozitive brenda institucionit. Pacientët duken mirë për nga veshja dhe higjiena. Nuk kemi rastisur në shenja të lëndimeve. Nga intervistat me pacient nuk kishte ndonjë ankesë për ndonjë formë të keqtrajtimit. Sa i përket regjimit dhe aktiviteteve, MKPT shpreh brengosjen për faktin se numri dhe cilësia e aktiviteteve psiko-sociale dhe rekreative është shumë i mangët. Po ashtu nuk ka një plan të individualizuar të trajtimit me përfshirje të pacientit. Institucioni duhet të angazhohet me përparësi në shtimin e aktiviteteve psiko-sociale dhe përfshirjen e të gjithë pacientëve në mënyrë optimale në këto aktivitete.Sa i përket stafit në Qendër, MKPT konsideron se numri i stafit nuk është adekuat. Po ashtu, mungojnë profesionistët si p.sh psikolog, terapistët okupacional etj. Ndihmësit mjekësorë nuk kanë as një trajnim specifik për punën me pacientët me çrregullime kronike psikiatrike. MKPT e sheh si shumë të rëndësishme ofrimin e trajnimeve profesionale jashtë institucionit si dhe shpërblimi adekuat bazuar në specifikat e punës”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me kushtet e banimit në Qendër, MKPT vlerëson se janë mesatare. Megjithatë, janë të nevojshme renovime si lyerje, rregullim i elementeve të tualeteve, vendosja e pikturave në mure dhe komodinat personale.

“MKPT konsideron se ka mungesë të privatësisë tek tualetet që nuk kanë fare perde dhe kjo çështje duhet të zgjidhet urgjentisht. Kuzhina u rinovua dhe u lëshua në përdorim në korrik të vitit 2018 dhe është e pajisur me të gjitha pajisjet moderne. Përmes raportit me rekomandime të publikuar më 6 mars 2017, MKPT e Avokatit të Popullit rekomandoi ndërmarrjen e masave për renovimin e kuzhinës. Përmes këtij raporti MKPT e Avokatit të Popullit përshëndet zbatimin e këtij rekomandimi. Në repart nuk është e vendosur karta e të drejtave të pacientëve dhe as fletushka për këtë qëllim, vetëm në ambulantë është e vendosur karta e të drejtave. MKPT konsideron që informacioni lidhur me të drejtat e pacientëve duhet të jetë i vendosur përshtatshëm, në vende të dukshme, të mbështetet me fletushka si dhe të ju shpjegohet sa më përshtatshëm pacientëve. Sa i përket kontaktit me botën e jashtme, MKPT konsideron se është esenc iale jo vetëm për parandalimin e keq-trajtimit por edhe nga aspekti terapeutik. QIRSKP dhe Institucionet tjera të përkujdesjes sociale (MPMS, Qendrat për Punë Sociale) duhet të shqyrtojnë dhe shfrytëzojnë gjitha mekanizmat dhe mundësitë ligjore për ta përmirësuar këtë çështje, ashtu siç e përcakton neni 16, paragrafi 3 i Ligjit për Shëndetin Mendorë. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë duhet të nxjerrë aktet nënligjore ashtu siç parashihet në nenin 9, paragrafi 4 i Ligjit për Shëndetin Mendorë. Në QIRSKP, Institucioni i Avokatit të Popullit ka vendosur kutitë e ankesave, të cilat mund të hapen vetëm nga personeli i këtij institucioni, gjë që për ankuesit ofron konfidencialitet në parashtrimin e ankesës. MKPT nuk ka pranuar asnjëherë ankesa nga rezidentët apo familjarët e tyre. MKPT inkurajon stafin që të informoj më shumë familjarët e rezidentëve për mundësin e parashtrimit të ankesave përmes kutisë së ankesave të vendosur në QIRSKP”, thuhet në raport.

Në bazë të të gjeturave dhe konstatimeve të arritura gjatë vizitës, përmes këtij raporti, MKPT e Avokatit të Popullit, u ka dërguar autoriteteve kompetente rekomandimet që të sigurohet numri adekuat i personelit mjekësorë, si psikiatër, infermierë, psikolog klinik, terapist okupacional si parakusht për një trajtim adekuat; të ofrohen trajnime adekuate për personelin; të përpilohet Udhërrëfyesi (Strategjia) për parandalim të vetë-vrasjeve; Ministria e Shëndetësisë të marrë një vendim njoftues që i liston institucionet e shëndetit mendor ku duhet të ekzekutohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik; të furnizohet rregullisht QIRSKP me barërat e nevojshme; të funksionalizohet sistemi kompjuterik i evidentimit (baza e të dhënave). Gjithashtu MKPT e Avokatit të Popullit ri përsërit rekomandimet si: nxjerrja e akteve nënligjore në pajtim me Ligjin për Shëndetin Mendor dhe ndërtimin e njësisë vokacionale në kuadër të QIRSKP-së, përcjell Telegrafi.

Exit mobile version