Qendra Shtetërore e Provimeve ka njoftuar, se detyrimet që dalin nga vendimi i përbashkët i Qeverisë dhe Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme për maturën shtetërore, “do të përmbushen në tërësi nga institucionet arsimore”.
“Komisionet shkollore për lëndët e maturës është paraparë që të përgatisin minimum tri herë më shumë detyra të provimit (pa zgjidhje) në përputhje me përfshirjen dhe llojet e detyrave të përshkruara në programin e provimit në secilën lëndë adekuate dhe të njëjtat, më së paku tri javë para mbajtjes së provimit, të publikohen”.
“Nga këto detyra të provimit, është e nevojshme që të përgatitet teksti për provimet interne. Këto udhëzime janë theksuar në njoftimin të cilin ne si institucion përgjegjës për zbatimin e maturës shtetërore, e kemi dërguar deri te të gjitha shkollat e mesme më 11.03.2021”, njoftojnë nga Qendra e Provimeve.
U kanë bërë thirrje nxënësve, që mos të brengosen për këtë pjesë, kurse të fokusohen në përgatitjen dhe arritjen e njohurive për të përmbyllur me sukses këtë etapë të procesit edukativ-arsimor.