Qemal Minxhozi, që shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, tash kur angazhimin e ka përfunduar në Prishtinë, po nderohet në shtetin amë.
Është qyteti i Lezhës, që Minxhozin e ka shpallur “Qytetar Nderi” të kësaj bashkie.
Ky titull iu dorëzua nga kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, i cili tha se Minxhozi e meriton këtë titull, jo vetëm për nga ana politike, po ashtu edhe në promovimin e turizmit të Lezhës në Kosovë.
“Asnjë shqiptar nuk e meriton më shumë se Qemal Minxhozi titullin e qytetarit të nderit, i cili ka dhënë kontribut të madh jo vetëm nga ana politike , por edhe në promovimin e turizmit të Lezhës në Kosovë. Me ndihmën e ambasadorit kemi ndarë aktivitete të shumta dhe me secilën komunë të Kosovës. Për atë arsye qytetarët e Lezhës i janë falënderues Minxhozit”, tha Ndreu.
Në mes të emocioneve ishte vet Minxhozi, ai i cili tha se nuk ishte e vështirë të promovoj Lezhën për shkak të potencialit të madh turistik që ka ky vend.
“Nuk mund të gjej fjalë për të treguar emocionet e mia sot me nderin dhe titullin e ‘qytetar nderi’. Ndihem i respektuar nga ky qytet me një histori kaq të madhe. Nuk ishte e vështirë për mua të promovoj Lezhën në Kosovë, për arsye se ky vend ka potencial të madh e sidomos në turizëm”, tha Minxhozi.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili tha se qyteti i Lezhës i ka bashkuar shqiptarët gjithmonë.
“Kosova dhe Shqipëria po shkojnë gjithmonë duke u afruar më shumë, e duke e mbrojtur njëra tjetrën. Për këtë arsye e falënderoj kryetarin Ndreu që e ka shpallur Minxhozin qytetar nderi, sepse ai nuk është vetëm i Shqipërisë, por është edhe i joni”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Kjo ceremoni ka vazhduar edhe me shumë fjalime të tjera nga figurat politike, po ashtu edhe nga qytetarët e Lezhës, të cilët u shprehën falënderues për kontributin e Minxhozit.