Një avokat i ish-presidentit peruan Alan García ka thënë të mërkurën se klienti i tij e qëlloi veten me armë para se të arrestohej nga policia.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë pikërisht avokati Erasmo Reyna ai që konfirmoi të shtënat.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e Perusë tha se Garcia u dërgua në Spitalin José Casimiro Ulloa në orën 6:45 të mëngjesit me një plagë plumbi në kokë.
“Pacienti gjendet në një sallë operacioni në spitalin në fjalë që nga ora 7:10”, është thënë nga ministria, duke shtuar se gjendja e tij është delikate.
Ndërkohë SkyNews shkruan se Garcia është në gjendje kome.
Garcia ishte nën hetim për ryshfet që gjoja paguhej gjatë ndërtimit të metrosë së Lima gjatë qeverisë së tij 2006-2011.
Ai kishte mohuar që ndonjëherë të ketë marrë para nga firma Odebreht, e cila është në qendër të skandalit më të madh të korrupsionit në Amerikën Latine.
Skandali ka çuar në burgimin e politikanëve të shumtë në rajon, veçanërisht në Peru, ku ish-presidenti Pedro Pablo Kucyznski u arrestua vetëm javën e kaluar si pjesë e një hetimi të pastrimit të parave në lidhjet e tij me kompaninë. /Telegrafi/