Site icon Telegrafi

Qëllohet me plumba vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi

Ilustrim

Gazetari Shkumbin Kajtazi ka bërë të ditur se mbrëmë vetura e tij ishte qëlluar me 5- 6 plumba, derisa ajo ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Kajtazi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ishte afër vendit të ngjarjes dhe se kishte dëgjuar krisma arme, por se mendja nuk i ka shkuar se mund të ishte ndonjë sulm i tillë.

“Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme”, ka shkruar Kajtazi, gazetar i “Reporteri.net”.

Postimi i plote i gazetarit Kajtazi:

“Miq,
Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij”, ka shkruar Kajtazi.

Ky është sulmi i dytë ndaj gazetarit Kajtazi, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë./Telegrafi/

Exit mobile version