Një aeroplan turk evakuimi që po zbarkonte në një bazë ajrore jashtë kryeqytetit të Sudanit, Khartoum, është qëlluar, konfirmon ministria e mbrojtjes e Turqisë.
Megjithatë, askush nuk u lëndua dhe zbarkoi sigurt në Wadi Seidna, ku po kontrollohej, transmeton Telegrafi.
Ushtria e Sudanit fajësoi luftëtarët paraushtarakë për gjuajtjen e aeroplanit dhe dëmtimin e sistemit të karburantit.
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) mohuan akuzat, duke thënë se ishin të përkushtuar ndaj armëpushimit të zgjatur humanitar.
Fraksionet ushtarake rivale ranë dakord për një zgjatje të armëpushimit të tyre të enjten për tre ditë të tjera.
Por armëpushimi ka pasur vetëm një efekt të kufizuar, pasi aeroplanët e ushtrisë që vazhduan të godasin pozicionet e RSF-s në Khartoum gjatë natës.
Armëpushimi i mëparshëm lejoi mijëra njerëz të përpiqeshin të largoheshin nga Sudani, ndërsa dhjetëra vende organizuan evakuime.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë tha se përpjekjet do të vazhdojnë për të shpëtuar shtetasit turkë nga Wadi Seidna dhe qyteti i Port Sudanit në bregun e Detit të Kuq.
Që nga fillimi i përplasjeve 14 ditë më parë, qindra njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Luftimet po shkatërrojnë kryeqytetin dhe rrethinat e tij – i cili deri vonë kishte një popullsi prej rreth 10 milionë- duke i lënë njerëzit pa furnizime me ushqim, ujë dhe karburant. /Telegrafi/