Kohëve të fundit janë shënuar shumë autogola të çuditshëm, por asnjëri nga ta nuk i afrohet atij të portierit maroken Mehdi Ouaya.
Ishte duke u zhvilluar ndeshja mes Rapide Oued Zem dhe Hassania Agadir në Superligën e Marokut.
Fitore kanë shënuar mysafirët me rezultat 0-2, por kjo ndeshje ka ngjallur dyshime për kurdisje.
Kjo pasi portieri i vendasve, Mehdi Ouaya ka shënuar në portën e tij, një autogol që rrallë shihet apo thënë ndryshe më i çuditshmi në histori të futbollit.
Ishte minuta e 80-të e ndeshjes, kur mysafirët po fitonin me rezultat 0-1 dhe një top nga mbrojtësit vendas u rikthyer te portierit Mehdi Ouaya.
Edhe pse kishte hapësirë ta dërgonte topin në fundore ose në anësore, Ouaya vendosi që ta godiste topin me fuqi dhe ta dërgonte në portën e tij.
Ky veprim i portierit vendas ka ngjallur shumë dyshime se kjo ndeshje mund të jetë kurdisur dhe federata marokene tani ka nisur hetimet. /Telegrafi/