Telegrafi

Qelizat e trurit punojnë më ndryshe nga ç’është menduar

Burimi: University of California – Irvine

Shkencëtarët e dinë që informacioni ndërmjet qelizave trunore udhëton nëpërmjet zgjatimeve të quajtura aksone. Për herë të parë shkencëtarët kanë zbuluar që aksonet jo vetëm që transmetojnë informatën, por ato mund ta kthejnë atë lartë ose poshtë me një stimulim të caktuar.

Ky zbulim mund t’i ndihmojë shkencëtarët që të zhvillojnë terapi për çrregullimet psikiatrike, siç janë depresioni dhe skizofrenia, për të cilët është menduar se pjesët e ndryshme të trurit nuk komunikojnë në mënyrë korrekte më njëra tjetrën. Deri më tani shkencëtarët kanë menduar se në korteksin trunor (ku ndodh pjesa më e madhe e proceseve të vetëdijes), informata është proceduar në trupin e qelizës. Nga ky studim sugjerohet që aksonet duhet të konsiderohen si vend i përpunimit të informacionit.

Studimet kanë filluar të tregojnë se kompleksi i përpunimit të informacionit, dhe ndoshta vetë vetëdija, mund të rezultojnë nga aktiviteti i koordinuar ndërmjet shumë pjesëve të trurit të lidhura me tufat e aksoneve të gjata. Problemet e njohjes mund të ndodhin vetëm atëherë kur këto zona nuk komunikojnë siç duhet me njëra tjetrën.

Funksioni i vetëdijes realizohet kur miliona qeliza trunore komunikojnë me njëra tjetrën në të njëjtën kohë. Një qelizë trunore ka një rrjet degëzimesh të quajtura dendrite, nëpërmjet të cilave i pranon informatat nga qelizat tjera dhe i proceson ato. Trupi i qelizës pastaj e lëshon informacionin e përpunuar nëpërmjet një aksoni në mbaresën që lidhet me dendritin e qelizës tjetër. Në mbaresën nervore lirohen lëndët kimike e quajtura neurotransmiterë, duke mundësuar që informacioni të kalojë në qelizën pranuese. Deri më tani shkencëtarët kanë menduar se aksonet ishin vetëm fije që përçonin sinjalet nga pika A në pikën B. Por, është gjetur se nëse e stimulon aksonin, sinjali mund të alternohet, sikurse të lëvizësh butonin e zërit te radioja./Telegrafi/