Zvarritja e prioriteteve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe plotësimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe riciklimi i krizës politike është një shqetësim i shprehur nga akademikë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Taki Fiti ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të politikanëve vendor. Sipas tij, është e pakuptueshme që zgjedhjet të jenë problem, por edhe parakusht për integrim në strukturat euroatlantike, edhe 24 vite pas pavarësimit të Maqedonisë.
“Është i pakuptueshëm fakti që Republika e Maqedonisë, 24 vite pas pavarësimit të saj, për shkak të politikave të papërshtatshme dhe qeverisjes jo demokratike, është vendosur në situatë që organizimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike, të verifikuar nga faktori ndërkombëtarë, të jenë kusht për përparimin tonë në proceset integruese euroatlantike”, u shpreh Taki Fiti, Kryetar i ASHAM.
Kryetari i ASHAM thotë se edhe zgjidhja e problemeve siç është organizimi i zgjedhjeve me standarde evropiane dhe më pas Qeveria me legjitimitet të plotë, nuk do të zgjidhë problemet e brendshme.
“Është iluzion të mendohet se nëse arrijmë të organizojmë zgjedhje fer dhe demokratike të pranuara nga faktori ndërkombëtar, dhe zgjedhjen e qeverisë legjitime , problemet vetvetiu do të zhduken. Përkundrazi, zgjidhja e problemeve që janë në qendër të realitetit tonë, kërkojnë reforma të mëdha, shumë dije, energji dhe vullnet politik”, tha Taki Fiti.
Profesori universitar dhe ish – deputeti më aktiv në Kuvendin e Maqedonisë, Izet Zeqiri thekson se pa zgjidhjen e të gjitha pikave kyçe të Marrëveshjes së Përzhinës, nuk mund të ketë zgjedhje të lira në qershor, njofton tv21.
“Gati 10 vite ne në mënyrë permanente flasim për vërejtjet kruciale të OSBE / ODIHR-it në lidhje me votuesit fiktiv dhe tash po përballet Komisioni me këtë problem dhe që vështirë shkon sepse do të duhen mbi 100 mijë familje verifikime në terren që do të jetë një proces i gjatë. Shohim se edhe reformat në media nuk janë duke shkuar me dinamikën e caktuar. Pa reforma në media, mediat kruciale të cilët kapin 55% të shikueshmërisë të qytetarëve janë të kapura nga pushteti, qeveria, dhe pa reforma dhe çlirim medial nuk do të ketë zgjedhje fer dhe demokratike”, tha Izet Zeqiri, Profesor Universitar.
Situata e krizës politike në vend sot u shtrua edhe në ekspozenë me rastin e mbledhjes së dyzet e nëntë të ASHAM, ku u bë thirrje për zbatimin e reformave të thella në vend dhe politika të gjejë zgjidhje kompromisi për prioritet kyçe të Maqedonisë. /Telegrafi/