Nga e enjtja, njerëzit në Zvicër nuk do të duhet të tregojnë më një certifikatë Covid-19 për të hyrë në bare, restorante dhe ambiente të tjera të brendshme si objekte sportive, teatro apo salla koncertesh.
Një leje e tillë, njëkohësisht shumë e diskutuar, ishte përdorur për të provuar se mbajtësi i saj ishte vaksinuar, testuar negativ ose shëruar nga virusi, përcjell Telegrafi.
Autoritetet megjithatë do të vazhdojnë të ofrojnë certifikata Covid-19, të njohura nga Bashkimi Evropian, për banorët zviceranë që duan të udhëtojnë jashtë vendit.
Qeveria njoftoi gjithashtu se nuk do të kishte kufizime të mëtejshme në madhësinë e tubimeve private në Zvicër, ndërsa ngjarjet e mëdha nuk do të duhej më të aplikonin për autorizim.
Veç këtyre, maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në shkolla, dyqane, salla koncertesh apo në punë.
Por ato do të mbeten të detyrueshme deri në fund të marsit në transportin publik dhe në objektet e kujdesit shëndetësor.
Qeveria ka mbajtur gjithashtu një kërkesë që njerëzit që rezultojnë pozitivë për Covid-19 të shkojnë në izolim për pesë ditë.
Këto dy masa të mbetura kanë për qëllim mbrojtjen e më të cenuarve, tha qeveria. Por nëse situata e virusit përmirësohet, ato mund të hiqen para fundit të marsit.
Vendimi i së mërkurës vjen pas konsultimeve me kantonet, parlamentin dhe organizatat përkatëse, të cilat të gjitha mbështetën heqjen e menjëhershme të kufizimeve duke mbajtur kërkesën për maska për rrethana të veçanta. Kantonet kanë ende mundësinë për të vendosur masa më të rrepta nëse është e nevojshme.
Ndryshe, qeveria zvicerane kishte vendosur kufizime të rrepta kundër Covid-19 nga tetori 2021 pas një rritjeje të rasteve të variantit më ngjitës Omicron, por që atëherë i ka lehtësuar ato në mënyrë progresive.
Zvicra ndjek disa vende të tjera evropiane, si Danimarka, Britania, Franca dhe Holanda, të cilat kanë hequr gradualisht masat për Covid-in në javët e fundit. /Telegrafi/