Qatar Airways ka realizuar fluturimin e parë me rrjetin Starlink të Elon Musk të integruar në aeroplan – me një nga pasagjerët që ka ndarë përvojën e tij të fluturimit në rrjete sociale.
“Telefoni im u lidh automatikisht me WiFi në fluturimin me Starlink”, tha pasagjeri.
“Një nga stjuardesat me të cilat fola gjatë fluturimit tha se kjo mund të zvogëlojë ngarkesën e tyre të punës, pasi do të kishte më pak pasagjerë që do të kërkonin ndihmë për t’u lidhur ose do të ankoheshin”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se Starlink WiFi ishte falas për pasagjerët në çdo kabinë dhe u cilësua më i shpejtë se interneti në shtëpi, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Sipas pasagjerit, ai gjatë fluturimit ka përcjellur edhe kuizin e tij të preferuar pa ndërprerje dhe ka transmetuar muzikë pa problem.
Edhe pse nuk kishte planifikuar takim pune, ai kishte realizuar disa telefonata në WhatsApp me kolegët dhe prindërit, duke theksuar se cilësia e telefonatës ishte po aq e mirë sa në tokë.
Siç raportohet, Starlink mund t’i bëjë fluturimet komerciale më tërheqëse, veçanërisht pasi ajo po shpërndahet në gjithnjë e më shumë linja ajrore.
Hawaiian Airlines ka gjithashtu Starlink në bord. United Airlines dhe Air France janë ndër kompanitë e tjera që kanë njoftuar planet për të instaluar shërbimin WiFi satelitor me shpejtësi ultra të lartë të Musk. /Telegrafi/