Site icon Telegrafi

Qatar Airways pritet të blejë 10% të aksioneve në American Airlines

Grupi American Airlines njoftoi sot se kompania ajrore e Katarit Qatar Airways ka shprehur interesimin për blerjen e 10 për qind të vlerave të aksioneve, apo 808 milionë dollarë në kompaninë ajrore amerikane.

Investimet potenciale vijnë në kohën e turbulencës diplomatike dhe konkurrencës për Qatar Airways.

Operacionet e kësaj kompanie shënuan rënie pasi që vendet arabe ndërprenë lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Katarin këtë muaj, për shkak të akuzave se ky vend mbështet terrorizmin dhe është afruar me Iranin.

Qatar Airways bëri të ditur përmes një kumtese se i sheh investimet si një mundësi të fuqishme dhe synon të ndërtojë një pozitë pasive në kompani me mos përzierje në menaxhment dhe operime.

“Qatar Airways planifikon investime fillestare deri në 4.75 për qind. Qatar Airways nuk do të kalojë 4.75 për qind pa pasur për prioritet pëlqimin e bordit të American Airlines”, thuhet ndër të tjera në kumtesë, transmeton KosovaPress.

American Airlines nuk ka dashur të komentojë pohimet dhe nuk është e qartë se si bordi i kësaj kompanie apo menaxhmenti do të përgjigjen ndaj investimeve të mundshme të Qatar Airways.

Shefi ekzekutiv i Qatar Airways , Akbar al-Baker tha se investimet janë të pastra nga ana financiare.

Kriza e fundit ka ndikuar që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti të mbyllin hapësirat e tyre për kompaninë ajrore të Katarit, duke e detyruar që të ndërpresë fluturimet drejt këtyre shteteve.

Al-Baker ka thënë se Qatar Airways do të përdorë aeroplanët që ishin paraparë të fluturojnë në këto shtete për fluturime në vendet tjera.

Exit mobile version