Site icon Telegrafi

Qalaj shpreh nevojën për ndihmën e ShBA-ve për anëtarësimin në Interpol

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C. SHBA, ka realizuar disa takime zyrtare me agjencione të ndryshme të zbatimit të ligjit.

“Takimet zyrtare të drejtorit Qalaj së bashku me stafin e tij, përfshirë drejtorin e Departamentit të Hetimeve z. Riza Shillova, drejtorin e Departamentit të Burimeve Njerëzore, Taibe Canolli, drejtorin e Divizionit Kundër Krimit të Organizuar znj. Florie Hajra, zyrtarin ndërlidhës të Policisë së Kosovës në Washington kapiten Lulzim Krasniqi, kanë pasur për qëllim rritjen e bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe institucioneve gjegjëse në SHBA.

Me datën 10.06.2019 në Washington DC janë realizuar tri takime mjaft të rëndësishme, duke filluar takimin e parë me drejtorin e Interpol Washington Wayne Salzgaber dhe zëvendësdrejtorin Michael A. Hughes, ku është diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit dhe nevojës për mbështetjen e SHBA-së në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën e INTERPOL-it”, thuhet në njoftimin për media.

Agjenda e delegacionit kosovar ka vazhduar me takimin e dytë në State Departament, më konkretisht në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit (INL), i realizuar me Jorgan Andrews zëvendës asistent sekretar për Evropë, ku në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe mbështetjen e deritanishme për Policinë e Kosovës si dhe për projekte të ndryshme në të ardhmen.

Drejtori i Përgjithshëm falënderoi zyrtarët e INL-it për mbështetjen dhe i siguroi ata se Policia e Kosovës do të mbetet një partner i rëndësishëm në fushën e zbatimit të ligjit. Përveç tjerash në kuadër të këtij takimi u diskutuan shumë projekte të ndryshme, të cilat do të ndihmojnë PK-në në procesin e reformimit të saj, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit policor.

“Agjenda e kësaj dite u përmbyll me realizimin e takimit të tretë me radhë, ku drejtori Qalaj me stafin e lartë është pritur në një takim miqësor nga Gregory Ducot, me ç‘rast u diskutuan temat e përbashkëta rreth bashkëpunimit dhe mbështetjen e ICITAP-it ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe në këtë rast drejtori Qalaj falënderoi Ducot për mbështetjen e madhe të ICITAP-it për PK-në, në fushën e ngritjes së kapaciteteve si në aspektin e burimeve njerëzore, gjithashtu edhe në aspektin e mbështetjes në fushën e kapaciteteve teknike dhe teknologjike”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo vizitë disaditore është e një rëndësie të veçantë dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve policore me interes të përbashkët. /Telegrafi/

Exit mobile version