Gjatë ditës së enjte në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serbë e rusë.
Këto zhvillime i ka komentuar edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj.
Deputeti opozitar e ka konsideruar veprim të duhur largimin e këtyre billbordeve ilegale, por që sipas tij prania e ministrave ka qenë e panevojshme.
“Mendoj që është veprim i duhur, por nuk e kuptoj praninë e ministrit të Brendshëm dhe atij të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ato janë punë të institucioneve tjera dhe nuk ka nevojë që të bëhen për konsum politik”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.
Qalaj ka deklaruar se të gjitha panot që nuk janë në frymë ligjore duhet të largohen pavarësisht se në çfarë vendi ndodhen.
“Këto punë duhet të bëhen nga institucionet përkatëse që ju takojnë dhe pa bërë shumë politikë, pasi që politizimi i tyre më pas devalvon punën e institucioneve”.
“Prania e ministrit në këto punë aspak nuk është e nevojshme. Kjo është një reklamë politike dhe njëfarë populizmi. Kësaj Qeverie nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos fokusimit në veri dhe heqja e këtyre panove, që për mua është veprim i duhur por jo aq i rëndësishëm”, ka deklaruar Qalaj.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani ka thënë se rrugët magjistrale janë në përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës.
“Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për të gjitha rrugët magjistrale në gjithë Kosovën. Çdo banerë, reklamë apo veprimtari tjetër në këto rrugë duhet të aprovohet nga Ministria e Infrastrukturës. Ministria e Infrastrukturës e ka parë që këta banerë janë të kundërligjshëm dhe ne kemi asistua për të vendosur ligjshmërinë”, ka deklaruar Elshani./Telegrafi/