Telegrafi

Qalaj akuzon Serbinë se krijoi incident në veri që të largojë vëmendjen nga rasti i Dick Martyt

Ish-kreu i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se sulmi ndaj njësiteve policore në veri të Kosovës është i strukturuar Serbia me qëllim të largimit të vëmendjes nga rasti ish-senatorit zviceran Dick Marty.

Qalaj ka thënë se Serbia synon destabilizimin e Kosovës nga brenda.

“Të gjitha këto që po ndodhin, edhe lufta në Ukrainë, janë të ndërlidhura. Serbia krijoi incident në veri që të largojë vëmendjen nga rasti i Dick Martyti. Krejt këto janë të lidhura njëra me tjetrën. Qëllimi është që të destabilizohet vendi nga brenda e mos të merremi me tema sikur ajo e Dick Marty-t”, ka thënë ai në Pressing të T7.

Kryeministri Albin Kurti sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, në të cilat fatmirësisht nuk kishte të lënduar, i ka quajtur terroriste.

Sa i përket pohimeve të Dick Marty-t për kërcënime nga sigurimi shtetëror serb, presidentja Vjosa Osmani tashmë iu ka kërkuar institucioneve të sigurisë në vend që të marrin informacione zyrtare nga autoritetet zvicerane.

Marty gjatë një interviste me transmetuesin publik zviceran RTS deklaroi se mbrohet nga policë civilë prej një viti e gjysmë, ndërsa vetë ai detyrohet të mbajë jelek antiplumb kur del jashtë. E gjithë kjo pas kërcënimeve të serbëve se duan ta vrasin për t’ua lënë fajin shqiptarëve të Kosovës.