Telegrafi

Qaka edhe zyrtarisht nënshkruan me Steauan: I lumtur që kam ardhur te klubi më i madh rumun

Kamer Qaka

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, nënshkroi një kontratë 5-vjeçare dhe do të bashkohet në qershor me skuadrën e re.

Fjala është për Steaua Bucuresti, skuadër ku Qaka do të mbajë fanellën me numrin 92.

Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, futbollisti i zbuluar nga Christian Panucci dhe ofruar në përfaqësuesen tonë kuqezi, dha një deklaratë për faqen e klubit të tij të ri:

“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar me klubin më të madh në Rumani. Unë shpresoj që të kem progres të mirë dhe të bashkëndaj me kolegët e rinj një gëzim të madh e sa më shumë trofe të jetë e mundur. Mezi po pres që të filloj trajnimin dhe të luaj ndeshjen time të parë me fanellën kuqeblu”.

Kamer Qaka (Photo: Steaua)

Kamer Qaka është një futbollist shqiptar, i lindur më 11 prill 1995, në Pejë. Ai emigroi në fëmijëri bashkë me familjen e tij në Norvegji dhe e filloi futbollin në Akademinë e Valerenga, në Oslo.

Në vitin 2013 u transferua nga Raufoss IL te Honefoss. Sarprsborg 08 dhe Kristiansund BK pasuan karrierën më tej, derisa u transferua falas te CSM Politehnica, në korrik 2017.

Me këtë skuadër rumune, mesfushori 23-vjeçar ka luajtur 30 ndeshje zyrtare në Ligën e Parë dhe Kupën Rumune, duke realizuar 2 gola. Ai, gjithashtu, debutoi për ekipin kombëtar të Shqipërisë në vitin 2017, duke pasur deri tani dy ndeshje ndërkombëtare me fanellën kuqezi.