Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shpallur të pasafatshme ankesën e koalicionit PDAK-LPB ndaj Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) lidhur me rezultatet e votave të diasporës.
Koalicioni PDAK-LPB kishte dorëzuar ankesën më 5 mars 2025, duke kontestuar votat e PAI-së të ardhura nga diaspora, me pretendimin se ato janë “orkestruar” dhe se individë të PAI-së kanë keqpërdorur dokumente identifikimi për të regjistruar dhe votuar në emër të të tjerëve.
Në ankesë thuhet se nga diaspora janë votuar vetëm dy kandidatë të PAI-së, Artan Asllani dhe Besart Jashari, ndërsa ka pasur dyshime edhe për Hetem Arifin, veçanërisht për votat e qytetarëve me prejardhje nga Lipjani dhe Shtimja që jetojnë në Gjermani. Si dëshmi, ankuesit kishin dorëzuar video dhe prova të tjera materiale.
PZAP: Ankesa e paraqitur pas afatit ligjor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e hodhi poshtë ankesën, duke argumentuar se pala ankuesese nuk e ka precizuar mjaftueshëm gjendjen faktike dhe se nuk janë specifikuar shkeljet e procesit të numërimit. KQZ theksoi se pretendimet nuk kanë bazë ligjore dhe nuk janë mbështetur me prova të qarta.
Sa i përket pretendimeve për orkestrim të votave, KQZ deklaroi se nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në hetimet e organeve të drejtësisë, pasi rasti është dorëzuar edhe në Prokurori nga koalicioni PDAK-LPB.
PZAP vendosi që ankesa ishte paraqitur pas afatit ligjor dhe se rezultatet e KQZ-së nuk janë ende përfundimtare, duke rrëzuar kështu pretendimet e PDAK-LPB.
PDAK-LPB: Procesi zgjedhor është manipuluar
Kryetarët e PDAK-LPB, Qazim Rrahmani dhe Jeton Emini, në një konferencë për media më 26 shkurt 2025, akuzuan PAI-në për manipulim të votave të diasporës.
“Ne jemi fituesit e zgjedhjeve, por kemi pranuar dëshmi që PAI ka orkestruar votat e diasporës. Një person ka votuar për 50 apo 60 të tjerë, duke përdorur letërnjoftimet e tyre,” tha Rrahmani, duke pretenduar se votuesit janë regjistruar në mënyrë të dyshimtë dhe votat janë blerë.
Ai dhe Emini thanë se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale dhe në gjykatat përkatëse, ndërsa kërkuan anulimin e votave të diasporës për PAI.
PAI: Akuzat janë trillime
Nga ana tjetër, kryetari i PAI-së, Hetem Arifi, i cilësoi pretendimet e PDAK-LPB si “trillime dhe manipulime” për të njollosur procesin zgjedhor.
“PAI është në pritje të rezultateve përfundimtare dhe do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të dëshmuar të vërtetën,” shkroi Arifi në Facebook.
Ai theksoi se KQZ dhe PZAP tashmë i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe se partia e tij mbetet e përkushtuar ndaj një procesi të drejtë zgjedhor.
Sipas rezultateve paraprake, PAI ka siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës.