Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nisur të bëjë publikimin e vendimeve lidhur me apelet që i janë bërë nga subjektet politike dhe kandidatet pas shpalljes se rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
PZAP sot ka publikuar tri vendime, dy nga një kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një nga një deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni iu është refuzuar një ankesë dhe një tjetër iu është miratuar, duke urdhëruar KQZ-në që të rinumrojë votat në një vendvotim.
PZAP-ja ka kërkuar rinumërimin e fletëvotimeve për kandidatët e PDK-së në një vendvotim në Petrovë, pasi kandidati Rrahman Jakupi është ankuar se i është bërë një ngatërrim në vota.
Në PZAP brenda 24 orëve, janë dorëzuar 208 ankesa.
Ky institucion ka gjithsej tri ditë që të shqyrtojë e vendos për çështjet e ngritura. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t`i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre.
Me përfundimin e procesit ankimor, KQZ-ja obligohet që t`i zbatojë të gjitha vendimet e dala, e tek më pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.