Site icon Telegrafi

PZAP anulon votat me postë për kryetar të Dragashit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar votat me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.

PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

Kjo erdhi pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh. /Telegrafi/

VENDIMI I PLOTË I PZAP-së

Exit mobile version