Site icon Telegrafi

‘Pyper’ ndër kompanitë me rritjen më të madhe të bizneseve fillestare në Evropën Juglindore

Më shumë biznese fillestare, më shumë investime dhe më shumë histori suksesi janë shtuar në rajonin e Evropës Juglindore gjatë vitit 2018. Kompanitë e mëdha kanë filluar të dallojnë potencialin inovativ që këto biznese kanë për transformimin e tyre dixhital dhe po fillojnë të luajnë një rol më aktiv në ekosistem.

Në vitin 2018, trendet makroekonomike ishin shumë pozitive për të gjitha vendet e përfshira në raport. Pothuajse të gjitha vendet arritën nivele të larta të punësimit, rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto dhe përmirësimin e pozicionit fiskal.

Raporti “Bizneset fillestare për vitin 2018 në Evropën Juglindore“, prezantuar nga ABC Acceletaror dhe EIT Digital, tregon se 2018-ta ishte një nga vitet më të mira për ekosistemin rajonal të bizneseve në Evropën Juglindore dhe sugjeron që të përqendrohen kryesisht në rritjen e numrit të tyre.

Kosova në këtë raport numëron katër biznese që premtojnë shumë për të ardhmen e fushës së inovacionit në këtë rajon, ku njëra nga këto është edhe Odds of Roller, kompania mëmë e aplikacionit Pyper.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Pyper

Kompania kosovare Odds of Roller me platformën e saj Pyper ka për qëllim grumbullimin dhe hulumtimin e të dhënave në mënyrë profesionale dhe matjen e opinionit publik me qëllim që t’i jepet fuqi shprehjes së lirë të mendimit.

Regjistrimi në Pyper bëhet pasi të shkarkohet aplikacioni në telefonat e mençur me sisteme operative iOS ose Android dhe pas regjistrimit respondentët mund të marrin pjesë në sondazhe.

Të regjistruarit kanë mundësinë të marrin pjesë në sondazhe të cilat janë atraktiv dhe përfshijnë një gamë të gjerë të sferave jetësore. Për secilin sondazh të plotësuar, ekziston mundësia e fitimit të bonuseve të cilat vijnë në formë të “rollers” që mund të konvertohen në mbushje telefonike.

Gjithashtu, në raport për rritjen më të madhe është edhe Gjirafa, Solaborate dhe LabBox.

Gjirafa është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesor i së cilës është makina kërkimore Gjirafa.com. Kompania ka platformën e reklamimit në internet e njohur si Gjirafa AdNetwork, shërbimi i shitjes online Gjirafa50.com dhe GjirafaMall.com, video platforma me përmbajtje ekskluzive GjirafaVideo dhe platforma e pikave të interesit dhe bizneseve nën emrin Gjirafa.biz.

Solaborate është kompani që ofron pajisje të komunikimit në distancë, ku produkti më i njohur është Hello 2, i cili mundëson shndërrimin e televizionit në një pajisje komunikimi për videokonferenca.

Ndërsa, LabBox është një kompani që përdor pjesët e teknologjisë për t’iu mësuar fëmijëve se si funksionon elektronika. /Telegrafi/

Exit mobile version