Telegrafi

Pyper me hulumtim për pavendosmërinë e qytetarëve për të votuar, këto janë tri arsyet

Foto: Arkiv

Kompania e hulumtimeve Pyper ka kryer një hulumtim lidhur me arsyet e mosvotimit nga qytetarët.

Hulumtimi është bërë me anë të një mostre jo të rastësishme prej rreth 1650 personave, ndërsa tri arsyet kryesore të mosvotimit ose pavendosmërisë për të votuar rezulton të jenë: bindja se të gjithë politikanët janë njësoj, mospëlqimi i asnjërës parti politike që kandidon për pushtet si dhe  lodhja nga zgjedhjet e shpeshta që organizohen në Kosovë.

“Përkundër rëndësisë së votimit për të ardhmen e një vendi, në Kosovë vetëm 44.56% e personave me të drejtë vote patën votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 2019. Andaj, duke pasur për synim identifikimin e faktorëve se çka i shtynë qytetarët të mos dalin në votim, kompania e hulumtimeve Pyper ka kryer një hulumtim lidhur me këtë. Hulumtimi është bërë me anë të një mostre jo të rastësishme prej rreth 1650 personave”.

Tri arsyet kryesore pas mosvotimit ose pavendosmërisë për të votuar siç duket janë:

Por përveç këtyre, janë raportuar edhe arsye tjera si mospëlqimi i kandidatëve për kryeministër, vota konsiderohet si diçka e parëndësishme, frika nga infektimi me COVID-19, procesit i votimit konsiderohet si i ndërlikuar, pritesa, si dhe arsyet shëndetësore.

E një gjetje tjetër interesante është se prej të gjithë personave që do të votojnë, rreth 72% do ta bëjnë këtë për të shprehur vullnetin e tyre politik kurse pjesa tjetër (28%) do të marrin pjesë në votim që të mos e lënë votën e tyre të keqpërdoret.

Në disa shtete të botës, votimi është i obligueshëm për secilin qytetar me të drejtë vote. E 60% e personave të anketuar janë pro një ligji të tillë për Kosovën.

Pjesa tjetër janë ose kundër një ligji të tillë (23%) ose janë të pavendosur për këtë (17%). /Telegrafi/