Pas harxhimeve stratosferike të Ministrisë së Arsimit ku një porcion biftek është paguar 80 euro, edhe ‘Pyjet e Maqedonisë’ kanë harxhuar shuma marramendëse për dreka dhe darka, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Për një faturë më 16 janar të vitit të kaluar ‘Pyjet e Maqedonisë’ kanë paguar hiç më pak se 14.516 denarë apo 236 euro. Në këtë faturë janë përfshirë harxhime si: Peshk Shpigola me vlerë prej 5040 denarë apo 81 euro; për karkaleca kanë harxhuar 3200 denarë apo 52 euro ndërsa për një shishe venë kanë harxhuar 2500 denarë.
Mes tjerash janë harxhuar shuma marramendëse edhe për ushqime tjera si torte, tuna, djath, sallata, raki, ujë, birrë dhe akullore.
Në një drekë tjetër ‘Pyjet e Maqedonisë’ kanë harxhuar 650 euro. Për këtë dhe të gjithë faturat tjera, drejtori ka pasur probleme që t’i kalojë tek sektori financiar dhe të njejtat është dashur të kontrollohen dhe të vërtetohen se në të vërtetë a është dashur të harxhohen këto shuma nëpër restorante. Të njejtat janë paguar por në këtë institucion janë zhvilluar debate dhe kundërshtime për nevojën për të harxhuar kaq shumë para të taksapaguesve./Telegrafi/