Site icon Telegrafi

Pyetet pse nuk ka rrjete sociale, Armend Regjepagiqi: Kam vlerësuar privatësinë, dhe këtë nuk ta japin Instagrami e as Facebooku

Kantautori i madh Armend Regjepagiqi, ka shënuar së fundmi rikthimin e tij në muzikë, duke kompozuar këngët e albumit më të ri të këngëtares Tuna Sjedi, “Fortuna”.

Njërën prej këngëve të albumit me titull “harrova”, ai e sjell në bashkëpunim me këngëtaren shkupjane, duek shënuar kështu rikthimin e tij pas disa vitesh në këndim.

I ftuar së fundmi në emisionin “NIN”, Armendi është pyetur nëse rikthimin po e mendon edhe bashkëshortja e tij, tekstshkruesja e njohur, Aida Baraku.

“Jo, ajo është operuar nga ndjenja e prezencës publike. Mendoj që është shumë e përmbushur me këtë si shprehet, përmes teksteve”, ka thënë Regjepagiqi.

Për gjithë këto vite mungesë, Armendi ka munguar edhe në rrjetet sociale, pasi nuk ka qenë i pranishëm, teksa është pyetur nga moderatori i emisionit edhe për këtë pjesë.

“Nuk i kam dashur shumë rrjetet sociale, më së shumti kam vlerësuar privatësinë, dhe këtë nuk ta japin as Instagrami e as Facebook”, u shpreh ndër të tjerash kantautori i mirënjohur. /Telegrafi/

Exit mobile version