Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar ndaj liderëve perëndimorë të cilët u tallën gjatë samitit të G7 për pozat e tij pa këmishë, derisa propozuan që edhe ata të bënin të njëjtën gjë.
Putini tha se do të ishte “e neveritshme” t’i shihje ata lakuriq, derisa u pyet lidhur me këtë çështje, transmeton Telegrafi.
Kryeministri britanik, Boris Johnson kishte filluar të tallet me Putinin derisa ishin ulur për bisedime me liderët e tjerë perëndimorë i cili tha: Me xhaketa, a po pa xhaketa? A t’i heqim rrobat?
“Ne të gjithë duhet të tregojmë se jemi më të ashpër se Putini”.
Më pas kryeministri kanadez Justin Trudeau bëri shaka se liderët perëndimorë duhet të imitojnë fotografitë e kreut të Kremlinit atë ku ai “është pa këmishë me gjoks të zhveshur dhe hipur mbi kalë”.
Putin, 69-vjeçar, iu është kundërpërgjigjur atyre në një samit në Taxhikistan.
“Nuk e di saktësisht se deri ku donin të zhvisheshin, nga pjesa e lartë, apo nga pjesa poshtë”, tha Putini.
“Por unë mendoj se, sido që të jetë, do të ishte një pamje e neveritshme”. /Telegrafi/