Telegrafi

Putini në Finlandë në fillim të viteve 1990 – mediumi finlandez sjell disa pamje që thuhet se janë publikuar për herë të parë

Janë shfaqur disa pamje që thuhet se tregojnë Vladimir Putinin gjatë një vizite në Finlandë gjatë fillimit të viteve 1990.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, ka qenë transmetuesi finlandez YLE që thuhet se ka siguruar pamjet amatore të papara më parë nga një burim anonim.

Dhe ato thuhet se u xhiruan në një festë të 1 Majit menjëherë pasi Putin – atëherë rreth 40 vjeç dhe një oficer i KGB-së – ishte bërë këshilltar i Anatoli Sobchak, kryebashkiaku i Shën Petersburgut në atë kohë.

Në video, Putin dhe Sobchak luajnë pingpong kundër truprojave të kryebashkiakut – dhe më vonë shkojnë për peshkim.

Aty mund të shihen edhe ish-gruaja e tij, Lyudmila si dhe dy vajzat Maria dhe Katerina.

Filmi theksohet se u xhirua në një vilë mikpritjeje të korporatës në pronësi të një kompanie finlandeze, Thomesto, e cila importonte lëndë druri nga Rusia.

Vila ndodhej në ishullin Torsö, në Raseborg, rreth 60 milje në perëndim të Helsinkit, në bregun jugor të Finlandës.

Në vitet 1990, Putin ishte një vizitor i shpeshtë i Finlandës. /Telegrafi/