Disa pamje të rralla janë shfaqur të mërkurën në të cilat shihet presidenti rus Vladimir Putin në Pekin të shoqëruar nga oficerë që mbanin të ashtuquajturën çantë bërthamore e cila mund të përdoret për të urdhëruar një sulm bërthamor.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Putin, pas një takimi me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, u filmua duke ecur në një takim tjetër i rrethuar nga stafi i sigurisë dhe i ndjekur nga dy oficerë të marinës ruse me uniformë, secili me një çantë.
Dhe kamera zmadhon njërën nga çantat.
Siç thuhet më tej, çanta bërthamore e Rusisë tradicionalisht mbahet nga një oficer i marinës.
E njohur si “Cheget” (e quajtur sipas malit Cheget në malet e Kaukazit), çantë që është gjithmonë me presidentin, por filmohet rrallë.
“Ka disa valixhe pa të cilat asnjë udhëtim i Putinit nuk është i plotë”, thanë korrespondentët e Kremlinit të agjencisë shtetërore të lajmeve RIA në një postim në Telegram nën pamjet.
Në një video tjetër, Putin largohet nga një takim në Pekin me oficerët e marinës, e filmuar sërish vetëm disa hapa nga Putini i cili buzëqesh ndërsa zbret nga disa shkallë.
Presidenti amerikan ka gjithashtu një pajisje të tillë. Çanta mban kodet që presidenti do të përdorte për të vërtetuar një urdhër për lëshimin e raketave bërthamore nëse ai ose ajo nuk do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në thelb, çanta është një mjet i sigurt komunikimi që lidh presidentin me forcat e tij të larta ushtarake dhe prej andej me forcat e raketave nëpërmjet rrjetit elektronik të komandës dhe kontrollit.
Ministri rus i mbrojtjes, aktualisht Sergei Shoigu, ka gjithashtu një çantë bërthamore. Një të tillë mund ta ketë edhe shefi i shtabit të përgjithshëm, aktualisht Valery Gerasimov.
Putin po viziton Pekinin në udhëtimin e tij të dytë të njohur jashtë ish-Bashkimit Sovjetik që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022. /Telegrafi/