Site icon Telegrafi

Putini dhe esenca e shtetit mafioz

Ilustrimi: James Ferguson / The Financial Times

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Nuk jemi bandë. Nuk jemi mafie. Nuk kërkojmë hakmarrje siç kërkuan ata në librin e Mario Puzos, Nuni [The Godfather]. Jemi komb. Komb i ligjeve”. Këto ishin kritikat e prezantuesit televiziv rus, Vladimir Solovyov, teksa mohonte se Kremlini ka ndonjë lidhje me shpërthimin e aeroplanit që vrau Yevgeny Prigozhinin.

Komentet e Solovyovit janë shembull i mirë i asaj thënies së shkëlqyer franceze: Qui s’excuse, s’accuse. (Ai që veten justifikon, veten akuzon) Propagandisti pro-Kremlin plotësisht e kupton se vrasja e Prigozhinit i kishte të gjitha shenjat e goditjes mafioze.

Vladimir Putini ndjek kodin e nderit mafioz. Tradhtia dhe pabesia janë mëkatet që kurrë nuk falen. Kjo është arsyeja se pse Kremlini ka dërguar vrasës në të gjithë Evropën, për të vrarë të dezertorët e shërbimeve të inteligjencës ruse. Si shef i milicisë Wagner, Prigozhini – i njohur si kuzhinieri i Putinit – e siguroi mishin për top për luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, kur iu kundërvu Putinit në qershor, e nënshkroi urdhrin e vet të vdekjes.

Kodi mafioz, i njohur për çdo adhurues të filmit, është se dështimi për hakmarrje e bën kapon të duket i dobët. Dy muaj kaluan mes rebelimit të Prigozhinit dhe vdekjes së tij. Por, më pas, siç thotë Don Korleone te Nuni – “Hakmarrja është ushqimi që më së miri shërbehet si i ftohtë”.

Sugjerimi se Rusia është shtet mafioz është më shumë se një mendim letrar. Biografja e Putinit, Catherine Belton, ka treguar se si nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut në vitet 1990, Putini i zhvilloi lidhjet e veta me botën kriminale të atij qyteti. Vetë Prigozhini gati një dekadë e kaloi në burg.

Shërbimet e inteligjencës ruse, për të cilët Putini punoi për shumë vjet, gjithmonë kanë mbajtur lidhje me krimin e organizuar – që ka ekspertizë të dobishme në kontrabandë, në spastrim të parave dhe vrasje. Flet shumë fakti se kur Rusia me Amerikën e organizoi një shkëmbim të të burgosurve – njeriu që zgjodhën për ta liruar ishte Viktor Bouti, tregtar i armëve i dyshuar për spastrim parash dhe ish-oficer ushtarak sovjetik i cili në vitin 2008 u arrestua pas një operacioni të gjatë të Agjencisë amerikane për Luftimin e Narkotikëve [Drug Enforcement Agency – DEA].

Operacionet në Afrikë të grupit Wagner të Prigozhinit – përmes rrjetit të kompanive gjoja legjitime – mjegulluan linjat mes biznesit privat, krimit të organizuar dhe shtetit rus. Kërkesat e luftës në Ukrainë, ato linja i kanë bërë edhe më të paqarta. Sanksionet perëndimore ia vështirësuan Rusisë shitjen e naftës ose blerjen e teknologjive kryesore nëpërmjet tregut të hapur. Kjo shton motivet e Rusisë për t’u lidhur me rrjetet kriminale që janë ekspertë në tregtinë e paligjshme dhe në kontrabandë.

Megjithatë, përpara se Amerika dhe Perëndimi ta hedhin poshtë Rusinë si një kriminel të jashtëm, vlen të përmendet se një ditë pas vdekjes së Prigozhinit, një ish-president i Shteteve të Bashkuara u padit në Gjeorgji sipas ligjit RICO [Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act] – një ligj që posaçërisht u krijua për ta përndjekur mafien.

Provat ligjore të akuzave ndaj Donald Trump, do të vendosen në gjykatë. Por, çfarëdo që të ndodhë atje, është e zakonshme që Trumpi prej kohësh ka përvetësuar disa nga sjelljet dhe zakonet e bosit mafioz.

Nuk është krejt për t’u habitur që një njeri që pasurinë e vet e krijoi në ndërtimin e Nju-Jorkut – përpara se të degëzohej në kazinotë e Atlantik-Sitit – herë pas here duhej të tingëllonte si mafioz. Një nga mentorët më të rëndësishëm të Trumpit ishte Roy Cohni, avokati që përfaqësonte shumë nga familjet e krimit në Nju-Jork. Derisa problemet e tij ligjore u shtuan gjatë presidencës, Trumpi u ankua për mungesën e një figure të tillë për ta përfaqësuar atë.

James Comey, drejtori i parë i Trumpit në FBI, më vonë e kujtoi një darkë private me Trumpin, në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën presidenti i porsazgjedhur tha: “Kam nevojë për besnikëri. Besnikërinë e pres”. Në kujtimet e veta, Comey shkroi se Trumpi atij ia kujtoi bosët e mafies që kishte hasur në punë gjatë zbatimit e ligjit: “Kërkesa ishte si ceremonia e futjes së Sammy Gravanos [Sammy the Bull] në Koza Nostra”.

Theksi i Trumpit te besnikëria personale ta kujton jo vetëm Gravanon, por edhe Putinin. Të dy liderët gëzojnë dhe madje inkurajojnë rivalitetet mes fraksioneve të stafit të tyre. Kjo e krijon një sistem në të cilin lideri është arbitri përfundimtar i të gjitha mosmarrëveshjeve – njeriu i madh, favorin e të cilit të gjithë e kërkojnë.

Si president, Trumpi ndonjëherë i drejtonte punët e jashtme thuajse po negocion me nunët rivalë: Kim Jong Unin në Korenë e Veriut, Recep Tayyip Erdoğanin në Turqi, Putinin në Rusi.

Megjithatë, krahasimi Trump-Putin nuk synohet si kontribut për sportin e preferuar rus të “të përgjigjes me akuzë ndaj një akuze [whataboutism]”. Të dy burrat mund të kenë disa instinkte dhe sjellje të përbashkëta. Por, janë shumë të ndryshme sistemet në të cilat operojnë.

Në Rusinë e sotme, ka zero shanse që Putini të hetohet për përfshirje në vrasjen e Yevgeny Prigozhinit – ose në ndonjë nga krimet e tjera që ai mund të ketë kryer. Nuk do të ketë prokurorë të pavarur që me kujdes do ta grumbullojë ndonjë provë që presidentin mund ta çojë në burg.

Për dallim, Trumpi përgjigjet për të bëmat e veta. Ka shumë gjasa që ai përfundimisht të dënohet me burgim – ndonëse supozimi im është se presidenti Biden më në fund atë do ta amnistojë. Ndërkohë, Trumpi mbetet i lirë të argumentojë çështjen e vet dhe madje të bëjë fushatë presidenciale.

Dallimi është i qartë. ShBA-ja mund ta pretendojë statusin që Solovyovi në mënyrë të rreme ia atribuoi Rusisë: “Komb i ligjeve”. Mjerisht, vetë Rusia sot është shtet mafioz. /Telegrafi/

Exit mobile version