Site icon Telegrafi

Putin, zyrtarëve rusë: Sillni të afërmit tuaj në “mëmëdhe”!

Rusia është duke urdhëruar të gjithë zyrtarët e saj që familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit t’i kthejnë në shtëpi, deklarata këto që vijnë në mes të tensioneve mbi perspektivën e luftës globale.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, politikanë dhe personalitete të larta thuhet se kanë marrë një paralajmërim nga Presidenti, Vladimir Putin, për të sjellë të dashurit e tyre në “mëmëdhe”, sipas mediave lokale.

Një lajm i tillë vjen pasi Putini kishte anuluar një vizitë të planifikuar në Francë, në mes të zemërimit rreth rolit të Moskës në konfliktin sirian.

Ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev ka paralajmëruar gjithashtu se bota është në një “pikë të rrezikshme” për shkak të tensioneve në rritje në mes Rusisë dhe SHBA.

Sipas Daily Star, përcjell Telegrafi, stafi i administratës, administratorët rajonalë, ligjvënësit e të gjitha niveleve dhe punonjësit e korporatave publike janë urdhëruar për të marrë fëmijët e tyre nga shkollat e huaja menjëherë.

Gjithsesi mediat botërore shkruajnë se arsyeja e saktë e këtij urdhri ende nuk është e qartë.

Por analisti politik rus Stanislav Belkovsky është cituar nga Daily Star të ketë thënë: “Kjo është e gjitha pjesë e pakos së masave për përgatitjen e elitave për një “luftë të madhe”.

Vlerësohet se marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA janë në nivelin më të ulët të tyre që nga Lufta e Ftohtë dhe janë përkeqësuar ditët e fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version