Telegrafi

Putin do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin do të kandidojë sërish për president si kandidat i pavarur me një bazë të gjerë mbështetjeje, por jo si pjesë e një partie politike.

Një grup nismëtar i përbërë prej 700 politikanëve dhe figurave nga bota sportive e kulturore u takuan të shtunën në Moskë dhe miratuan njëzëri nominimin e Putinit si kandidat i pavarur, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve, raporton reuters.

Putin, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për më shumë se dy dekada, ka njoftuar se do të kandidojë edhe për një mandat tjetër gjashtëvjeçar në zgjedhjet që ai pritet t’i fitojë me lehtësi.

Putin nuk do të jetë kandidat i partisë në pushtet, “Rusia e Bashkuar” (UR) edhe pse ai ka mbështetjen e saj të plotë, por do të prezantohet i pavarur para zgjedhësve, tha një zyrtar i lartë i partisë UR, Andrei Turchak.

“Më shumë se 3.5 milionë anëtarë dhe mbështetës të partisë do të marrin pjesë aktive në fushatën zgjedhore”, citoi RIA të thoshte Turchak, duke vënë në dukje se Putini ka qenë një nga themeluesit e Rusisë së Bashkuar.

Për politikanin 71 vjeçar zgjedhjet janë një formalitet – me mbështetjen e shtetit, mediave shtetërore dhe pothuajse asnjë mosmarrëveshjeje të zakonshme publike – ai është i sigurt se do të fitojë.

Mbështetësit e Putinit thonë se ai ka rivendosur rendin, krenarinë kombëtare dhe një pjesë të ndikimit që Rusia e humbi gjatë kolapsit sovjetik ndërsa lufta në Ukrainë – diçka që Putin e quan një “operacion special ushtarak” – mund të justifikohet.

Ndryshe, edhe goditjet prej vitesh ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve, të përforcuara me ligjet e reja gjithëpërfshirëse për “lajmet e rreme” dhe “diskreditimin e ushtrisë”, ka bërë që kritikët dhe kundërshtarët e luftës të marrin dënime të gjata me burg ose të ikin jashtë vendit, pasi hapësira për mospajtim është tkurrur në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/