Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fajtorë për ngritjen e Al-Kaedës dhe liderit të saj Osama Bin Laden.
Putin tha gjithashtu se ka prova që CIA mbështeti terroristët në Çeçeni të Rusisë.
“Al Kaeda nuk është rezultat i aktiviteteve tona. Është rezultat i aktiviteteve të miqve tanë amerikanë. Kjo histori filloi gjatë luftës sovjetike në Afganistan, kur shërbimet amerikane të sigurisë mbështetën lëvizjet e fundamentalizmit islamik kundër trupave sovjetike në Afganistan”, the Presidenti Putin në intervistën “Showtime” të Oliver Stone, përcjell tvklan.al.
Ai shtoi se përpos kësaj, SHBA duhet ta kishte parashikuar se mbështetja e islamikëve do t’i kthehej kundër.
“Gjithmonë kështu ndodh. Partnerët tanë amerikanë duhet të ishin të vetëdijshëm për këtë. Është faji i tyre”, tha Putin.
Megjithatë, Presidenti rus shtoi se Moska ishte në krah të SHBA pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, të orkestruara nga Al-Kaeda.