Telegrafi

Putin paralajmëron SHBA-në kundër vendosjes së raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar SHBA-në se nëse Uashingtoni do të vendosë raketa me rreze të gjatë veprimi në Gjermani nga viti 2026, Rusia do të vendosë raketa të ngjashme brenda distancës goditëse nga perëndimi.

SHBA-ja do të fillojë vendosjen e raketave me rreze të gjatë në Gjermani në vitin 2026 në një përpjekje për të demonstruar përkushtimin e saj ndaj NATO-s dhe mbrojtjes evropiane, kanë njoftuar Uashingtoni dhe Gjermania në fillim të këtij muaji.

Bëhet e ditur se “dislokimet episodike” të SHBA-së janë përgatitje për një stacionim afatgjatë të aftësive të tilla që do të përfshijnë SM-6, raketa lundrimi Tomahawk dhe armë hipersonike që kanë një rreze më të madhe se ato aktuale në Evropë.

Por, në një fjalim para marinarëve nga Rusia, Kina, Algjeria dhe India për të shënuar ditën e marinës ruse në ish-kryeqytetin perandorak të Shën Petersburgut, Putin u shpreh se SHBA-ja rrezikon të shkaktojë një krizë raketash të stilit të Luftës së Ftohtë me këtë lëvizje, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Koha e fluturimit drejt objektivave në territorin tonë të raketave të tilla, të cilat në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore, do të jetë rreth 10 minuta”, tha Putin.

“Ne do të marrim masa, duke marrë parasysh veprimet e Shteteve të Bashkuara, satelitëve të saj në Evropë dhe në rajone të tjera të botës”, shtoi ai.

Presidenti rus gjithashtu tha se SHBA-ja po nxit tensione dhe ka transferuar sistemet e raketave Typhon në Danimarkë dhe Filipine.

Ai i krahasoi planet e SHBA-së me vendimin e NATO-s për vendosjen e raketave Pershing II në Evropën Perëndimore në vitin 1979.

Gjatë asaj kohe, udhëheqja sovjetike, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Yuri Andropov, kishte frikë se vendosjet e Pershing II ishin pjesë e një plani të përpunuar të udhëhequr nga SHBA-ja për të “prerë kokat” e Bashkimit Sovjetik duke larguar udhëheqjen e tij politike dhe ushtarake.

“Kjo situatë të kujton ngjarjet e Luftës së Ftohtë lidhur me vendosjen e raketave amerikane Pershing me rreze të mesme veprimi në Evropë”, tha Putin.

Ndryshe, presidenti rus përsëriti një paralajmërim të mëparshëm se Moska mund të rifillojë prodhimin e raketa bërthamore me rreze të mesme dhe më të shkurtër dhe më pas të shqyrtojë se ku t’i vendosë ato nëse SHBA-ja dërgon raketa të ngjashme në Evropë dhe Azi. /Telegrafi/