Presidenti rus, Vladimir Putin siguroi një mandat tjetër gjashtëvjeçar, duke fituar 87 për qind të votave, më shumë se në të gjitha fitoret e mëparshme presidenciale që nga viti 2000.
Edhe me një fitore kaq bindëse, në zgjedhjet ku nuk kishte kundërshtar të vërtetë, 71-vjeçari nuk është në krye të listës së liderëve botërorë që kanë arritur sukses rekord elektoral në vendet e tyre.
Një nga të parët që e uroi për fitoren në zgjedhje ishte Kim Jong-un, lideri suprem i Koresë së Veriut, ku zgjedhjet janë simbolike, pjesëmarrja është pothuajse 100 për qind dhe në fletëvotim ka vetëm një emër.
Kim Jong-un pasoi të atin në vitin 2011 dhe në zgjedhjet parlamentare të 2014-ës, ai fitoi 100 për qind të votave në zonën elektorale, transmeton Telegrafi.
Bashar al-Assad, president i Sirisë që nga viti 2000, ka fituar disa fitore dërrmuese elektorale. Në zgjedhjet e vitit 2014, ai fitoi pothuajse 89 për qind të votave, dhe në vitin 2021, më shumë se 95 për qind.
Ato zgjedhje, të cilat konsiderohen të manipuluara, u mbajtën gjatë luftës civile në të cilën Assad, me ndihmën e Putinit, shtypi opozitën dhe vrau qindra mijëra njerëz, shkruan politico.
Në muajin shkurt, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, fitoi zgjedhjet me pothuajse 94 për qind të votave, duke siguruar një mandat të pestë si kreu i vendit, i cili renditet ndër vendet më pak të lira në botë.
Jo shumë prapa Putinit është presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili u mbështet nga 80 për qind e qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2020.
Përpara zgjedhjeve, lideri i opozitës Sergej Tihanovsky u dënua me burg dhe në vend të tij kandidoi bashkëshortja e tij, Svetlana.
Zgjedhjet ndezën protesta masive gjatë të cilave mijëra njerëz u arrestuan.
Pas ndryshimeve kushtetuese që e lejuan atë të kandidonte përsëri për president, Putin mund të kapërcejë diktatorin sovjetik Joseph Stalin, i cili fitoi 100 për qind të votave gjatë sundimit 30-vjeçar, duke fituar zgjedhjet e ardhshme në vitin 2030. /Telegrafi/