Telegrafi

Putin nesër rikonfirmon qëndrimin rus rreth Kosovës

Në bisedimet në Beograd të enjten, presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq do të diskutojnë edhe rreth çështjes së Kosovës, u ka thënë gazetarëve këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.

“Çështja e Kosovës do të diskutohet. Situata rreth Kosovës është përkeqësuar pas një sërë provokimesh nga shqiptarët e Kosovës. Kjo është futja e detyrimeve doganore prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. (Gjithashtu) Ligjet e miratuara nga parlamenti i Kosovës në dhjetor për transformimin e forcave të sigurisë të Kosovës në një ushtri të plotë të Kosovës, çfarë është një shkelje e vrazhdë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB”, citohet të ketë thënë Ushakov, shkruan Agjencia Ruse e Lajmeve TASS, përcjell Telegrafi.

Sipas Ushakov, në bisedime Rusia po planifikon të përvijojë qëndrimin e saj mbi këtë çështje.

“(Qëndrimi) është i qartë dhe i qëndrueshëm dhe i bazuar në kornizat ndërkombëtare dhe ligjore, duke përfshirë ato të përvijuara në Rezolutën 1244. Ne me siguri do të mbështesim një vendim të kënaqshëm reciprokisht të pranueshëm, i cili do të arrihet nga Beogradi dhe Prishtina, por ne besojmë se çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe duhet të përmbushet me të vërtetë”, ka thënë tutje Ushakov. /Telegrafi/